Nga kujtesa tek inteligjenca: 8 përfitime të shahut
Loja e shahut është e dashur në të gjithë botën. Nga Amsterdami në Zhengzhou, njerëzit mblidhen në dhomat e ndenjes, sheshet dhe bibliotekat për të luajtur shah. Shahu është një lojë shumë intensive dhe besojeni ose jo, ndikon pozitivisht në shëndetin e mendjes suaj.
Shahu zhvillon aftësinë për të parë nga këndvështrimi i dikujt tjetër
Lojtarët e aftë të shahut mësojnë të parashikojnë lëvizjet e ardhshme të një kundërshtari. Për të parashikuar se çfarë do të bëjë një person tjetër, një lojtar duhet të zhvillojë aftësinë për t’u përshtatur me perspektivën e një personi tjetër për të kuptuar lëvizjet e radhës. Eksperët e sjelljes e quajnë këtë aftësi për të parë nga një këndvështrim tjetër si “teoria e mendjes”, e cila është një aftësi thelbësore për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme shoqërore.
Shahu përmirëson kujtesën
Mbi të gjitha, loja përfshin memorizimin e kombinimeve të shumta të lëvizjeve dhe rezultateve të tyre të mundshme. Lojtarët e shahut gjithashtu kanë një aftësi më të mirë se mesatarja e njerëzve për të kujtuar dhe njohur shpejt modelet vizuale, për të cilat studiuesit thonë se vjen nga memorizimi i pozicioneve komplekse të shahut.
Shahu rrit inteligjencën
Njerëzit me shumë përvojë në shah kanë aftësi të zhvilluara të të menduarit në dy fusha (përveç aftësive të kujtesës):
1. Inteligjenca fluide: Aftësia për të konsideruar lloje të reja të problemeve dhe për të përdorur arsyetimin për t’i zgjidhur ato.
2. Shpejtësia e përpunimit: Aftësia për të kuptuar me shpejtësi detyrat dhe për t’iu përgjigjur me efikasitet sfidave.
Studimet kanë treguar që të dyja këto forma të inteligjencës ishin të pranishme te mjeshtrat e shahut.
Shahu përmirëson kreativitetin
Studiuesit në një shkollë në Indi testuan aftësitë e të menduarit krijues të dy grupeve të studentëve. Njëri grup ishte trajnuar për të luajtur shah, dhe tjetri jo. Testet u kërkuan studentëve të gjenin përdorime alternative për artikujt e zakonshëm dhe të interpretonin modelet dhe kuptimin në forma abstrakte. Studiuesit arritën në përfundimin se shahu rrit aftësinë e studentëve për të ushtruar mendime krijuese.
Shahu përmirëson aftësitë e planifikimit
Lojërat e shahut njihen për periudhat e gjata të të menduarit në heshtje, gjatë së cilës lojtarët marrin parasysh çdo lëvizje. Ata kalojnë kohë duke parashikuar përgjigjet e kundërshtarëve të tyre dhe duke u përpjekur të parashikojnë çdo gjë. Ky zakon i mendjes – përsiatje dhe planifikim i kujdesshëm – është një nga përfitimet e shahut.
Shahu mund ta bëjë terapinë më efektive
Disa terapistë luajnë shah me pacientët si një mjet për të rritur vetëdijen dhe për të ndërtuar marrëdhënie më efektive terapeutike. E konsideruar si një strategji e terapisë krijuese, shahu ju lejon të shihni reagimet ndaj stresit dhe ndaj sfidave kur ato paraqiten gjatë një ndeshjeje.
Shahu mund të ofrojë mbrojtje nga zhvillimi i demencës
Në një hulumtim të vitit 2019, shkencëtarët zbuluan se kërkesat komplekse të shahut në lidhje me fleksibilitetin mendor mund të ndihmojnë në mbrojtjen e njerëzve të moshuar. Studiuesit gjetën prova se loja, e cila përmirëson kujtesën, llogaritjen, aftësitë vizuale-hapësinore dhe aftësitë e të menduarit kritik, mund të ndihmojë për problemet që vinë me rritjen në moshë.
Shahu mund të përmirësojë simptomat e ADHD
Në një studim të vitit 2016, ku u përfshinë 100 fëmijë të moshës shkollore me çrregullim të hiperaktivitetit dhe mungesës së vëmendjes, studiuesit përfshinë lojën e rregullt të shahut si një qasje trajtimi shumëplanëshe. Fëmijë që morën pjesë në këtë metodë trajtimi pësuan një rënie prej 41% si në pavëmendje ashtu edhe në mbi-aktivitet pas kursit të trajtimit.
A ka përfitime të veçanta shahu për fëmijët? Studimet tregojnë se shahu rrit zhvillimin e këyre aftësive tek fëmijët:
-aftësitë për zgjidhjen e problemeve;
-aftësitë sociale dhe të ndërtimit të marrëdhënieve;
-aftësitë e të menduarit.
Burimi: Healthline, WebMD