Nga Komisioni Evropian flasin për Periskopin – Kjo është arsyeja pse ua njohëm pasaporta ‘koordinacija’ serbëve të Kosovës

Nga Komisioni Evropian flasin për Periskopin – Kjo është arsyeja pse ua njohëm pasaporta ‘koordinacija’ serbëve të Kosovës

“Qëllimi i propozimit është të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE”.  Kështu kanë arsyetuar për Periskopin nga Komisioni Evropian, heqjen e regjimit të vizave për pasaportat serbe të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese për Kosovë në MPB-në e Sebisë.

Ndër të tjera, nga KE për Periskopin, kanë treguar edhe ecurinë se si ka ardhur deri në këtë vendim – i cili në Kosovë më pas ngjalli reagime të shumta.

“Më 16 nëntor 2023, Komisioni miratoi një propozim për të lejuar serbët e Kosovës që janë mbajtës të pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe të udhëtojnë pa viza në BE. Qëndrimi i Komisionit theksohet në propozimin e Komisionit. Qëllimi i propozimit është të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mbulohen nga një regjim pa viza kur udhëtojnë në BE. Propozimi është miratuar nga Këshilli dhe me këtë përmbyllet procesi legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Ky propozim plotëson hyrjen në fuqi të regjimit pa viza për mbajtësit e pasaportave të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2024”, thuhet në përgjijen e KE-së për Periskopin.

Këtu mund të gjeni propozimin e Komisionit: https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52023PC0733

Reagime nga Kosova për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave ilegale serbe

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se vendimi i Këshillit të Bashkimit Europian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, “ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit dhe integrimin e komunitetit serb”. Këto deklarata Presidentja i tha në takim me ambasadorin Hovenier.

“Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja shprehu shqetësimin për vendimin e djeshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë”- thuhet në komunikatë.Sipas njoftimit në takim është diskutuar edhe për pjesëmarrjen e Osmanit në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO-s, me ftesë të Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, respektivisht .

“Duke e vlerësuar ftesën e SHBA-ve dhe prezencën e Kosovës në këto aktivitete kyçe të Samitit si një zhvillim strategjik në dobi të avancimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej, Presidentja Osmani potencoi impaktin pozitiv që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në NATO për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjate”- bëhet e ditur në njoftim.Osmani dhe ambasadori Hovenier, siç thuhet në komunikatë, diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohëve të fundit, “me ç’rast konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Nga Qeveria pati reagim të ashpër për këtë çështje, madje ministrja Donika Gërvalla nuk hezitoi ta ‘sulmojë’ Bashkimin Evropian duke thënë se “dikush brenda Bashkimit Evropian po punon për ndarjen e serbëve në Kosovë”.

“Për pasaportat që nuk lëshohen nga institucione legjitime ne s’kemi hezituar dhe t’i paralajmërojmë e informojmë akterët e rëndësishëm. Ata (BE) kanë marrë një vendim që jo vetëm sipas mendimit tonë, çon në rrugë të gabuar, por bën të kuptosh se disa akterë në BE s’janë të interesuar në integrimin e pakicës serbe në Kosovë, por punojnë në ndarjen e tyre. Integrimi sa më i shpejtë i qytetarëve në struktura legale të pajisur me dokumente legale, çon në atmosferë e në hapësirë për të gjithë ata e për të gjithë ne”, ka thënë ajo.

Nga opozita është deklaruar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ku përmes një konference për media, nënkryetarja Mimoza Ahmetaj, tha se nga partia e saj janë të pakënaqur lidhur me vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të lëshuara nga institucionet ilegale serbe.

Ahmetaj akuzoi Qeverinë Kurti nuk ka reaguar në kohë dhe nuk ka insistuar sa duhet që të respektohet marrëveshja e arritur në dialog për lëvizjen e lirë.

“PDK ka pritur nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Kosovën në qëllimin e saj për integrimin e serbëve të Kosovës brenda institucioneve legjitime të shtetit tonë, që ata të pajisjen me dokumente zyrtare të Kosovës. Ky vendim kontribuon vetëm në distancimin e serbëve të Kosovës dhe inkurajon ata që të mos bëhen pjesë përbërëse e shoqërisë dhe shtetit të tonë. Megjithatë, edhe ky vendim ndërkombëtar që vjen sot si pasojë për Kosovën, dje e kishte një shkak vendor: Qeverinë e Kosovës! Që nga dita e parë e qeverisjes, pushteti aktual ka pasur një qasje joserioze ndaj dialogut dhe aleatëve tanë. Kjo Qeveri ka treguar paaftësi dhe papërgjegjësi të thellë në veprimet dhe mosveprimet e saj në politikën e jashtme, përmes së cilave po vërtetohet sot se ka dëmtuar edhe interesat e vendit tonë.
Politikat e gabuara të kësaj Qeverie, të cilat gjithmonë janë reaktive por asnjëherë aktive, nuk kanë arritur të mbrojnë në asnjë rast interesat e vendit tonë dhe as të shtyjnë përpara agjendën e shtetndërtimit dhe konsolidimit të Kosovës. Qeveria jonë, fatkeqësisht, nuk e ka kuptuar akoma se komentet e tyre të vakëta brenda katër mureve në Prishtinë, janë zë i shurdhër në Institucionet e Bashkimit Europian”, tha ndër të tjera Ahmetaj.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nënkryetari Lutfi Haziri thotë se Kurti tetë herë veproi pa koordinim dhe kjo është mënyra se si po i kthehet tash.

Haziri thotë se kjo është një kundërpërgjigje që po e merr Qeveria Kurti për tetë rastet kur ka vepruar pa koordinim dhe me arsyetimin se po e shtrinë sovranitetin në Veri të Kosovës.

“Lidhur me heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale, kështu është kur vepron njëanshëm në tetë rast kinse për qëllime sovraniste dhe dërgon “kërcënime” për pakicat se edhe pensionet ua kanë rrezikuar e ndihmat sociale, ja si të kthehet tash”, ka thënë Haziri për Express, përcjell Periskopi.

 

Shpërndaje në: