Nga Kamenica në SHBA, vajza që po hulumton detektimin e hershëm të kancerit
Një limon ia ndryshoi jetën Esma Feras nga fshati Karaçevë e Poshtme e komunës së Kamenicës.
Kurioziteti mbi molekulat, ADN-në, e gjenetikën, e kishte shtyrë atë që të bënte një eksperiment në këtë pemë në shtëpi, me mjetet që ia kishte dhënë profesori i biologjisë.
Suksesi i këtij eksperimenti, të cilin e bëri Esma më 2019, si nxënëse e klasës së 11-të, e kishte bindur që pasionin e saj mbi molekulat e gjenetikën, duhej ta vazhdonte në një shtet të zhvilluar si SHBA-ja.
Sot, Esma është në vitin e katërt të studimeve të Biologjisë molekulare në Universitetin New Haven në shtetin Connecticut, dhe është hulumtuese për detektimin e hershëm të kancerit të vezoreve në Universitetin prestigjioz amerikan,Yale, shkruan Radio Evropa e Lirë
Eksperimenti kishte të bënte me izolimin e ADN-së në frytin e limonit.
“(Pas eksperimentit) ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme, sepse përfundimisht ajo që e mësuam në klasë filloi të marrë kuptim në jetën reale. Kjo më ka bërë të kuptoj se nëse unë edhe vazhdoj të studioj diçka lidhur me biologji në Kosovë, do të ishte shumë e vështirë të kem këtë lloj qasje në shkencë”, thotë ajo.
Sipas saj, shkolla nuk i ofronte mundësi për ta ndjekur pasionin e saj – molekulat.
“Edhe pse kam qenë në klasën e 11-të kam filluar të lexoj libra të literaturës universitare për gjenetikën. Kam lexuar për eksperimente të ndryshme në gjenetikë, por që në laborator nuk kemi mundur t’i realizojmë. Prandaj, eksperimentet i kam shikuar në YouTube”, thotë Esma.
Ëndrrën e ndjek në SHBA tash e katër vjet, falë bursave të ndryshme, ndihmës nga familja, donacioneve dhe punës së saj.
Ajo pranon se sfida më e madhe për të ka qenë “përshtatja në një sistem komplet të ri akademik”.
“Më ka lënë përshtypje sistemi i edukimit dhe lidhja profesor – nxënës në formën bashkëpunuese. Këtu, profesorët janë mentorët më të mirë nëse studenti dëshiron të ketë një karrierë shumë të suksesshme, dhe e kanë mentor jo vetëm gjatë zhvillimit profesional dhe akademik, mirëpo edhe pasi që e kryejnë universitetin”, shprehet Esma Fera.
Pikërisht në saje të lidhjes mentor-student, Esma i ishte bashkuar profesoreshës së saj dhe në kuadër të një programi në Universitetin Yale, ajo ishte bërë pjesë e ekipit që hulumtonte detektimin e hershëm të kancerit të vezoreve (ovarial).
“Puna që ne e bëjmë në Yale, është detektimi i gjeneve të caktuara që kanë rol shumë të rëndësishëm në detektimin e këtij kanceri, dhe ne veçse e kemi zbuluar një gjen dhe jemi duke bërë eksperimente të ndryshme që të mbledhim të dhënat dhe shpresojmë që ta publikojmë artikullin”, thotë ajo.
Dita e Esmës nis herët kur parapërgatitet për ligjërata. Pas ligjëratave, Esma mban orët në rolin e asistentes për Biologji molekulare. Pjesën tjetër e kalon në laborator, ndërsa mbrëmjen ua dedikon detyrave, studimeve dhe projekteve.
“Sistemi edukativ këtu bën që studentët të jenë të angazhuar gjatë gjithë kohës, dhe kur ke angazhime të tjera si punë dhe kërkime shkencore, menaxhimi i kohës duhet të jetë në nivel të lartë”, thotë ajo.
Sipas saj, të hulumtosh kancerin nuk është lehtë, por kauza është më e madhe se sfida.
“Definitivisht, shkenca që e bëjmë ne është diçka shumë interesante, nuk është diçka që e bëjmë çdo ditë, por çdo ditë eksploron gjëra të ndryshme. Është padyshim shumë sfiduese, por duke e ditur se çfarë kontributi jep, është ndjenjë fenomenale”, thotë ajo.
Duke qenë mijëra kilometra larg familjes, Esma thotë që shpesh i mungojnë prindërit.
“Në vitin e parë ka qenë diçka që nuk e kam pritur, që do të jetë aq shumë vështirë. Por, tash, në vitin e katërt, e di si ta balancoj veten. Kur je e zënë me shumë studime, edhe me shumë punë, nuk është që nuk mendon, por prapë ke diçka për të bërë. Por, kur vjen vikendi ose pushim pranveror apo vjeshtor, atëherë ajo është pak më e vështirë, sepse e sheh që secili shkon te familja” , tregon Esma.