Nga çka ka frikë Albin Kurti?
Albin Kurti është shumë i gëzuar dhe tepër i palumtur njëkohësisht. Këto dy ndjenja i shkëmbejnë replika pambarimisht. Gëzimi i tij deri në sjellje naive pas fitores elektorale të 6 tetorit u shndërrua shpejt në një palumturi të plotë me rrjedhën e proceseve pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së.
Sidoqoftë, pavarësisht dështimit të vazhdueshëm për ta formuar koalicionin qeverisës me LDK-në, ai vazhdon të sillet me gëzim të dalluar që i vërehet në mimikën triumfaliste.
Pa keqkuptime, Albin Kurti është fitues i padiskutueshëm i zgjedhjeve të 6 tetorit. Megjithatë, fakti që ai është një fitues i padiskutueshëm i zgjedhjeve assesi nuk e bën të diskutueshëm faktin që ai është përgjegjës për formimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve.
Fitorja e Albin Kurtit fillon me 6 tetor dhe kurorëzohet në ditën që ai fiton besimin e deputetëve për ta qeverisur vendin në Kuvendin e Kosovës. Thelbi i problemit nuk është se Kurti nuk e kupton këtë fakt – thelbi i problemit është te mënyra të cilën e ka zgjedhur. Ai manipulon me publikun në këtë rrethanë dhe te forma se si e kupton përgjegjësinë e tij politike si Kryeministër në ardhje.
LDK-ja duhet medoemos ta bëjë një akt me rëndësi të jashtëzakonshme politike. T’ia mundësojë Albin Kurtit të bëhet Kryeministër, kësisoj duke e hapur rrugën për demistifikimin e tij dhe sfidimin e rolit të opozitarit të patëmeta.
Ky është prelud se si do te jetë qeverisja e tij në një plan më afatgjatë e në një rrafsh më të përgjithshëm. Pak ditë më parë, në një intervistë për një medium në Shqipëri, Kurti deklaroi se, shprehur me gjuhen e basketbollit, Kryeministri Rama po bën shumë “gabime në hapa”. E njëjta shprehje mbase mund të përdoret për vet Kurtin lidhur me mënyrën se si ai e ka menaxhuar gjithë procesin e negocimit të koalicionit me LDK-në. Ai e di këtë, prandaj analogjia me hapat e gabuar ka mundur të jetë një rrëshqitje e pavetëdijshme e përshkrimit të patologjisë së tij tek tjetri.
Përpjekja e Kurtit për lidhje të raporteve me LDK-në është shumë më e hershme. I gjendur në vështirësi për të arsyetuar një koalicion të mundshëm me LDK-në pas akuzave te saj në përgjithësi dhe liderit të saj në veçanti (“Hajn i 3 përqindëshit”, “Vrasës i Astritit”, “Isë, Isë, argati i Serbisë”, 70 dosje për komunën e Prishtinës, “Putin”, “Shërbëtor i Rrahman Morinës”, “Punëtor i Mishkoviqit”, etj.), Kurti prej kohësh thoshte se ka shumë kohë që ai dhe Isa Mustafa nuk e kanë befasuar njëri-tjetrin.
Kjo, natyrisht, është vetëm pjesë e një retorike manipuluese të Albin Kurtit, sepse mosbefasia me njëri-tjetrin nuk nënkupton edhe besimin mes njëri-tjetrit. Megjithatë, Kurti i ka befasuar të gjithë kur propozoi Glauk Konjufcën si Kryetar të Kuvendit, një pozitë që, sipas bisedimeve të deriatëhershme, duhej t’i takonte LDK-së. Dhe, me siguri, u nda edhe më i befasuar pasi LDK-ja ia votoi Kryetarin e Kuvendit duke ia rrënuar qëllimin e tij paraprak për ta fajësuar publikisht LDK-në për moskonstituimin e Kuvendit. Në këtë mënyrë, VV-ja e riktheu gjithë ciklin e bisedimeve për formim të koalicionit qeverisës me LDK-në pothuajse në pikën zero.
Insistimi i Kurtit për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit që në seancën e parë konstituive vjen krejtësisht nga një taktikë egoiste partiake dhe assesi nga detyrimi për t’i respektuar procedurat kushtetuese dhe përgjegjësia për formim të institucioneve në kohë sa më të shpejtë sipas nevojave objektive politike të Kosovës. Madje, kjo përveç që është e pavërtetë është edhe qesharake. Prej nga gjithë ky zell për të respektuar institucione të cilat deri dje, gjithmonë sipas Kurtit, ishin veç struktura të improvizuara dhe të imponuara nga ndërkombëtarët?
Sikurse shqetësimi i tij real të ishte respektimi i procedurave kushtetuese dhe integriteti i institucioneve të Kosovës, Albin Kurti kurrë nuk do ta tallte një popull të tërë duke iu shmangur thirrjes të Presidentit Thaçi për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë me aludimin se ai ka detyrime tjera.
Asnjë Kryeministër potencial serioz nuk mund të ketë prioritete më të rëndësishme sesa formimi i Qeverisë – e veçanërisht të Qeverisë së Kosovës, marrë në konsideratë faktin se vendit i duhet një dinamikë krejtësisht e re pas një degradimi disavjeçar, qoftë në qeverisje të brendshme, qoftë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pavarësisht kësaj, shmangia e përgjegjësisë për formimin e Qeverisë nga ana e Kurtit nuk është problemi fundamental në gjithë këtë mes. Herët e vonë, duke u lëkundur mes përuljeve paradite dhe poshtërimeve pasdite ndaj LDK-së, Kurti nuk do te mund t’i shmanget ballafaqimit në Kuvend me besimin e deputetëve për ta drejtuar Qeverinë.
A ju kujtohet Kurti kur dikur e thërriste Kadri Veselin në Kuvend për t’u përballur me numrin e deputetëve që i besojnë detyrën: “Hajde..! Dil..! Matu..!”?
Ironikisht, e njëjta thirrje sot vlen për vet Kurtin, i cili përkundër përpjekjes 15 vjeçare për të ardhur në pushtet me çdo kusht, sot refuzon të matet me të zgjedhurit nga një prej proceseve më të rregullta demokratike në historinë e Kosovës. Problemi real mbetet fakti se kjo sjellje e Kurtit shkon shumë përtej kësaj rrethane: problemi real është se kjo sjellje zbulon mënyrën se çfarë modeli qeverisës do të zhvillojë Albin Kurti në Kosovë.
Çdo gabim a dështim të tij, apo të VV-së, ai synon ta mbulojë nëpërmes moralizimeve imponuese, propagandues te pakursyer dhe linçimeve të pandalshme.
Pra, ajo që është e vërejtshme që tash, e që gjithsesi shkon kundër një logjike të shëndoshë demokratike, është fakti se Albin Kurti synon të qeverisë me Kosovën duke instaluar një hegjemoni moralizuese dhe duke vendosur një industri të degradimeve publike për këdo që mendon ndryshe.
Kjo është vërejtur që tek mënyra se si Kurti, përkundër përpjekjeve për lidhje të koalicionit me LDK-në, vazhdimisht synonte t’ia lëndonte besueshmërinë publike. Sidoqoftë, kjo prirje ka marrë një përmasë edhe më shqetësuese kur ai, pak para se të shkojë të Presidenti për ta refuzuar mandatin për formim të Qeverisë, propozoi 5 emra për ministra të Qeverisë së tij dhe e ftoi LDK-në ta bëjë të njëjtën.
Thënëshkurtimisht, kjo tregon tri gjera kryesore.
E para, nëse Kurti qëllimisht nuk do ta formojë Qeverinë nga frika për të marrë përgjegjësi është një çështje krejtësisht tjetër, por nëse ai do dhe vepron në këtë formë, atëherë ai shquhet nga një paaftësi themelore për të zhvilluar negociata serioze dhe për t’u sjellë në mënyrë institucionale.
Asnjë lider serioz dhe partner i besueshëm koalicioni nuk bën propozime në Facebook dhe në shkelje të plotë të bisedimeve të mëparshme. Kjo nuk tregon thjesht sjelljen e Kurtit ndaj LDK-së, por tregon se një Kryeministër si ai nuk do të ketë aftësinë për ta garantuar qëndrueshmërinë e Qeverisë për periudhën e nevojshme. Për më shumë, në fund të ditës, kjo tregon se Kurti, përkundër humbjes të kohës së Kosovës, është i interesuar ta simulojë një fitore publike.
Së dyti, prapa sjelljes kinse modeste të Albin Kurtit fshihet një arrogancë sa e frikshme aq edhe e paparë ndaj gjithë spektrit politik në Kosovë. Këtu nuk po përsëris vrojtimin e zakonshëm se ai është lider suprem në VV. Kjo madje qëllimisht tregohet, kështu që duket, prandaj edhe dihet.
Këtë e dinë më së miri kolegët e tij të afërt – Aliu, Sveçla a Zyba, që përkundër vasalitetit historik ndaj tij Kurti i përbuzi tërësisht si kandidatë të mundshëm për poste ministrore. Çështja është se duke e thirrur LDK-në për t’i propozuar emrat e tyre, ai e merr të mirëqenë që LDK-ja duhet t’i nënshtrohet atij pavarësisht thyerjes të njëanshme të marrëveshjes. Pra, mënyra se si ai sillet me LDK-në tregon shumë më shumë sesa sjelljen e tij momentale me LDK-në. Ajo tregon për një Kryeministër që konsideron se çdo qëndrim i tij politik duhet të merret i mirëqenë prej të tjerëve. Një omnipushtet që s’ka nevojë ta arsyetojë, por vetëm dëshirë që ta ushtrojë.
Së treti, lista e emrave që Kurti i ka propozuar për ministra e që më shumë janë mungesë opsionesh sesa opsione në vetvete, tregon jo vetëm faktin se VV-ja përfundimisht ka rënë nën standardet e proklamuara për vite në publik, por edhe një hipokrizi enorme.
Kurti nuk është duke bërë ministra figura të reja për të bërë diçka që PDK-ja e ka bërë ndër vite, për ta përmirësuar imazhin. Duke e propozuar Haki Abazin për Zëvendëskryeministër ka vendosur vetëm një standard: faljen publike në rast të nënshtrimit politik.
Vet VV-ja e ka akuzuar Haki Abazin për korrupsion dhe vet Haki Abazi i ka akuzuar aktivistët e VV-së për vrasjen e Astrit Deharit në burg. Nuk mund të ketë këmbim më të rëndë të akuzave se kaq. Këto nuk kanë vlerë megjithatë, sepse Abazi nuk heziton ta bëjë shegertin e zellshëm në punëtorinë e linçimeve masive të Albin Kurtit. Këtu nuk është i rëndësishëm parimi, por pozicioni; madje as pozicioni politik jo, por ai fizik – je apo nuk je brenda selisë së Vetëvendosjes është kriter i vetëm dhe i vetëmjaftueshëm.
Pra, qeveria e shpresës, mes tjerash, do të shërbejë edhe si lavatriçe politike për të gjithë ata që iu rëndon akuza për korrupsion, krim a vrasje politike në rast të nënshtrimit të plotë ndaj Kryeministrit. Krejt çfarë mjafton është bindja pa pyetje dhe bluarja në mullirin e fjalës të çdo mendimi ndryshe.
Çfarë shpresa të Kryeministrit nga Kryeministri i Shpresës.