Nga belaja e madhe e Bilbilave të Myshtishtit për nanat deri te Mihrija dhe Remzija për dasmat: Rastet e bujshme
Në prillin e thyer të vitit 2019, kishte shpërthyer një bela mes Biblilave të Myshtishtit: Motrave Mustafa dhe Shyhrete Behlulit, shkaku i një kënge, që i fliste historisë së nënës.
Bashkë me historinë, e veçanta e klipeve, ishte se në to, po merrnin pjesë edhe nënat, ajo e gjashtë-shtatë Motrave Mustafa dhe kjo e Shyhrete Behlulit.
Për tekstin, nuk do të flasim në këtë tekst. Ato lënë shumë hapësirë për kritika, por po rikujtojmë historinë e këtyre përplasjeve personale mes yjeve të muzikës popullore. Një e fundit, që OK, nuk është përplasje, por bëri bujë në media, është ‘masa e reciprocitetit’ që Mihrije Braha dhe Remzije Osmani, ia vendosën njëra-tjetrës për fejesat dhe martesat e të bijëve.
Në vitin 2019, gjashtë – shtatë motrat që përbëjnë grupin muzikor Motrat Mustafa, bënë bujë me këngën, pas të cilës, akuzuan Shyhrete Behlulin se ‘u prenë në besë’
“Dëgjo, unë kangën e kam porositë diku kah fundi i shtatorit te Ilir Berani. I tregova temën çka po du Ilirit, ai më tha, mos e xhironi para vitit të ri. Në atë kohë ishte duke dalë një kangë e Shkurte Fejzës për nanën. Me m’ngu mu tha e xhironi pas vitit të ri edhe tema juaj është pak ma e veçantë. Në momentin që u ndajta me Ilirin, u takova me Shyhreten, me kolegen time, që kam nda gjithçka. I tregova Shyhretes, thash Shyhret’ kam pas qejf një kangë me ia ba nanës. Tha po, unë kangë për nanën e kam pasë. Po i thash që do ta xhirojmë pas vitit të ri, na fillumë vec me xhiru kangën, kur e pashë në të njëjtën kohë që Shyhretja e kish bat ë njëjtën”, pati deklaruar njëra nga motrat e Motrave Mustafa në këtë intervistë, shkruan Periskopi.
Por, Shyhrete Behluli, nuk do të vononte me kundërpërgjigjen e saj. Ajo, e kishte quajtur gjë të ulët, kritikën e kritikës së motrave Mustafa.
“Nuk është në rregull me të akuzu për gjëra të tilla. Po a din kur thonë më ka zënë taksirati në tah të rrafshit me motrat Mustafa. Nuk kam dalë me u përballë me Motrat Mustafa, se me to më së miri është përballë autorja e tekstit Nexhmie Muhaxheri, të cilën e falënderoj se e nxori të vërtetën para publikut. Telefoni sot nuk rrenë, s’mundesh me ba manipulime. E vërteta dhemb, e sigurisht edhe motrave u ka dhimtë e vërteta, që kanë folë gjëra të pavërteta. Ato kanë shpifë për mu këtë rast, për me njollosë emrin e karrierën time. Nuk muj me ja marr idenë edhe me dashtë”, pati thënë Behluli në Prive, përcjell Periskopi.
Pas vitit 2019, ndër replikat më të bujshme në këtë verë të vitit 2022, po bëhet ajo e Mihrije Brahës dhe Remzije Osmanit.
Dyshja e njohur, kanë shkëmbyer replika nga distanca, lidhur me ftesat dhe mosftesat për fejesat e të bijve. Meqë njëra (Remzija) nuk e kishte thirrë tjetrën (Mihrijen), për fejesën e të birit, kështu veproi edhe kjo e fundit.
E mira është, se të dyja kanë thënë, se do ta thërrasin në dasmë njëra-tjetrën, duke mos ia harruar kështu njëra-tjetrës veprimin e njëjtë.
Për belanë mes Motrave Mustafa dhe Shyhrete Behlulit, nuk e dimë nëse ka ndonjë lëvizje që prej vitit 2019, ndërkaq Remzijes dhe Mihrijes, iu dëshirojmë argëtim të këndshëm në dasma, me njëra-tjetrën.
Sa i përket kritikave të kritikëve, se pse mediat iu japin hapësirë lajmeve të tilla – dhe rekomandimeve të njerëzve shpesh jo edhe aq kompetent në fushën e gazetarisë – mendojmë se kushdo që është i zoti në sociologjinë e mediave, mund t’i marr këto si raste studimore, dhe ne jemi të hapur të bisedojmë me ta, që t’i ndihmojmë për rastet studimore.
Sa i përket teksteve dhe muzikës që kultivojnë Motrat dhe në përgjithësi Bilbilat e Myshtishtit, Mihrije Braha e të tjera, kjo është një temë tjetër!/Dafina Demaku/Periskopi