Neymar ëndërron të kthehet në Barcelonë – madje edhe për pagë shumë të vogël

Neymar ëndërron të kthehet në Barcelonë – madje edhe për pagë shumë të vogël

Spekulime për një rikthim të mundshëm të Neymar në Barcelonë.

Gazetari spanjoll Joan Fontes ka trazuar publikun e futbollit me një deklaratë të bujshme në podkastin e tij, duke thënë se Neymar dëshiron të kthehet në Barcelonë me çdo kusht. Ky pohim ka nxitur spekulime të shumta mbi mundësinë që braziliani legjendar të rikthehet në klubin që e bëri të famshëm.

Neymar, aktualisht lojtar i klubit Al-Hilal në Arabinë Saudite, kishte kaluar nga Santos në Brazil në Camp Nou 11 vjet më parë, ku u bë një nga lojtarët më të dashur të tifozëve. Ai formoi një treshe sulmuese të njohur si MSN, së bashku me Lionel Messin dhe Luis Suarezin, e cila ishte shumë e suksesshme.

Me Barcelonën, Neymar fitoi dy kampionate spanjolle dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2015. Megjithatë, në vitin 2017 ai bëri një transferim të madh në PSG, për një shifër rekord prej 222 milionë eurosh, që mbetet transferimi më i shtrenjtë në histori.

Ndërkohë që Neymar kishte disa sezone të suksesshme në “Parkun e Princave”, ai nuk i përmbushi plotësisht pritshmëritë e tifozëve në nivelin evropian. Pas disa dëmtimeve të shumta dhe kritikave nga tifozët dhe mediat në Francë, ai u largua nga PSG vitin e kaluar dhe nënshkroi një kontratë luksoze me Al-Hilal, e cila vlen 150 milionë euro në vit.

Fontes zbuloi se Neymar është në kërkim të një sfide më të madhe dhe ëndërron të rikthehet në Kataluni. Edhe pse Barcelona është në një krizë financiare dhe nuk mund t’i ofrojë një pagë të barabartë me atë të sauditëve, spekulohet se Neymar mund të jetë i gatshëm të pranojë një pagë më të ulët për të realizuar dëshirën e tij për rikthim në Barcelonë.

Shpërndaje në: