Nexhat Krasniqi me dost dhe vlerësuesin e tenderit në kafe, a po bëhet ‘aksham pazar’ për tenderin 16 milionësh?
Kokat e një tenderi në vlerë prej 16 milionë euro po shihen në orët e vona në një kafene në Prishtinë. Të jemi më të qartë. Po bëhet fjalë për shefin e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, dostin e tij, biznesmenin Valon Ademin dhe zyrtarin e ministrisë që bënë vlerësimin e tenderit, Shefqet Emerllahu. Ata po shihen shpesh bashkë në kryeqytet. Dyshimet – favorizim për tender…
Të tre, janë parë në një tavolinë hiç më larg se parmbrëmë (e mërkurë), rreth orës 21:00 në një kafene në qendër të Prishtinës.
(Nexhat Krasniqi, Valon Ademi dhe Shefqet Emerllahu ne kafene)
Dyshimet për favorizim ndaj biznesmenit Ademi, ngriten edhe më shumë kur dihet se tenderi për mirëmbajtën e dy autostradave, aktualisht ndodhet në fazën ankimore, pasi ministria ditë më parë ka shpallur fituesit dhe disa kompani nuk u pajtuan me atë vendim.
Tenderi ka qenë i ndarë në katër loto (pjesë), dhe lot 2 e ka fituar kompania “2A Group” në një vlerë prej 3.4 milionë euro me validitet për tri vite.Komisioni i ministrisë për vlerësimin e 18 ofertave, aq sa ka pranuar ky institucion, ka qenë në përbërje prej tre personave.
Periskopi ka mësuar se kryetar i komisionit vlerësues në tenderin e mirëmbajtjes së dy autostradave ka qenë zyrtari Shefqet Emerllahu, i cili po shihet në kafene bashkë më biznesmenin që e nxori fitues të tenderit dhe me shefin e prokurimit po ashtu.
Por, nuk u mbyllë gjithçka me këtë tender, ani pse Ademi u shpallë fitues i një pjese të tij më datë 22 prill të këtij viti.
Menjëherë pas shpalljes së fituesve, duke respektuar afatin ligjor, disa kompani janë ankuar në ministri, duke bërë kërkesë për rishqyrtim. Kjo pasi kompanitë nuk u pajtuan me vendimin e ministrisë për shpalljet e fituesve në asnjë lot, dhe po ashtu disa nuk u pajtuan me arsyetimin e ministrisë kur i shpalli ato të pa përgjegjshme në disa pika.
Pas ankimit, ministria e ka pezulluar tenderin dhe ka filluar me shqyrtimin e ankesave. Por, siç ka raportuar Periskopi, prokurimi i ministrisë e ka shkelur ligjin, duke mos u kthyer përgjigje kompanive në afatin kohor në kërkesën e tyre për rishqyrtim. Bile, nuk u ka kthyer akoma deri më tani.
Jo rrallë herë, ministria pas shqyrtimit të ankesave ka anuluar vendimin e parë të vetin për rekomandim për kontratë, duke u dhënë të drejtë kompanive ankimore.
Situata aktuale është se tenderi ka mbetur i pezulluar, ministria akoma i ka në shqyrtim ankesat e kompanive, ndërsa shefi i prokurimit, kryetari i komisioni vlerësues dhe biznesmeni Ademi po shihen në kafe kohë pas kohe në orët e natës. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/