New York Times për moderimin e Adem Demaçit
Ky shkrim nga Steven Erlanger, një korrespondent i njohur i gazetës New York Times, ka datën e 10 gushtit të vitit 1999. Pra, ishte periudha e menjëherë-pas-luftës. Periskopi ka përkthyer shkrimin e Erlangerit në shqip, pa ndonjë shkas. Sidoqoftë, marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ndoshta do të ishte e udhës të kthejmë kryet mbrapa e të reflektojmë për vendimet që duhet marrë në të tashmen.
***
Adem Demaçi, shpesh i quajtur Nelson Mandela i Kosovës, ka rënë në vija të njëjta si ky i fundit duke u bërë më i qetë dhe më i moderuar, derisa po iu bën thirrje shqiptarëve të tij që të përdorin dhuntinë e tyre për liri në mënyrë që të ndërtojnë një shoqëri të civilizuar.
Zoti Demaçi i ka kaluar më shumë se 29 nga 64 vitet e tij [tani 82 vjeçar] në burgjet jugosllave për besimin e zjarrtë në pavarësinë e Kosovës. Ai ishte “përfaqësuesi politik” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe madje edhe zëdhënësi i saj deri më 3 mars, kur u largua i tërbuar pa vullnetin e tij, nga presioni intenziv i Washingtonit, që i shtyente shqiptarët që të pranonin më pak se pavarësi në negociatat e Rambouillet-së në Francë.
Por, i pyetur nëse priste të shihte Kosovën të pavarur gjatë jetës së tij, zoti Demaçi, një burrë i vogël e i shkathët me syze me xhama të trashë, dha atë lloj përgjigjje që diplomatët amerikanë kishin shpresuar gjatë ta dëgjonin prej tij.
“Duhet të them që asnjë vend në botë nuk është krejtësisht i pavarur,” tha ai, me pamjen e njeriut që po mendohej. “As ShBA-ja, në një formë, nuk është plotësisht e pavarur.”
Më pas, ai shtoi – “dhe unë jam gjithnjë optimist” – pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve është edhe i mundshëm edhe i nevojshëm, dhe do të çojë në një shtet të ri në Evropën moderne me sovranitet të shpërndarë.
Ndërsa shqiptarët e Kosovës punojnë që të përmirësojnë jetën e tyre të varfër me ndihmën ndërkombëtare, dhe përpiqen të krijojnë institucione reale, serbët, “që janë në konfuzion tash, do të çlirohen nga mitet dhe iluzionet e tyre” rreth pamundësisë për një shtet Serb pa Kosovën, tha ai.
“Të dyja kombet,” tha Demaçi, “do të bëjnë pajtimin, dhe të dyja do të marrin të drejtën që të futen në Evropë – jo vetëm gjeografikisht, por edhe moralisht, me sjelljen tonë.”
Lufta bombarduese e Nato-s, që e detyroi Serbinë të largohej nga Kosova por duke e mbajtur krahinën nën sovranitetin Jugosllav, nuk ishte një fitore e plotë, thotë ai. Por ai tha që ajo fushatë bombarduese, krijoi një mundësi të jashtëzakonshme nën ombrellën e forcave të Nato-s dhe nën administratën e Kombeve të Bashkuara [Unmik].
“Kemi një shans unik në historinë tonë, me miqtë tanë evropjanë, që të ndërtojmë një shtet,” thotë Demaçi.
“Shqiptarët, “pas 2 mijë vitesh në skllavëri,” që prej romakëve e deri te turqit dhe serbët, “po frymojnë tashmë lirshëm,” tha ai, “duke qenë të aftë që të vendosin për jetën e tyre vetë.” Me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, tash ata e kanë shansën që të ndërtojnë “institucione të vërteta të një shoqërie të civilizuar, sipas standardeve botërore – një sistem shkollor joideologjik, media jo-ideologjike, financa jo-ideologjike dhe sistem shëndetësor – dhe jo të ndjekin standardet ballkanike ose standardet komuniste.”
Sipas Demaçit, mund të kalojnë 10 vite për të realizuar këtë përpjekje.
Por Kombet e Bashkuara nuk duhet të dështojnë në obligimet e tyre që të angazhohen me shoqërinë dhe politikën shqiptare, dhe”të kuptojnë historinë tonë, të paktën prej 1945-s e deri tash,” tha zoti Demaçi. Administratorët e Kombeve të Bashkuara dhe ushtarët e Nato-s duhet të shmangin vendosjen e një rendi të ri kolonial ose të lejojnë UÇK-në që të mbetet në opozitë, shton ai. Dhe shqiptarët nuk duhet të shpërdorin këtë shans të jashtëzakonshëm, “të paguar me aq shumë gjak.”
Demaçi, i pyetur nëse ishte e nevojshme gjithë ajo tragjedi, nënqeshi, duke parë drejt muzgut të kuq që derdhej poshtë pemëve.
“Ishte e pamundur që të ndryshohej kjo situatë pa tragjedi e gjakderdhje. Gjithnjë doja të vdisja për Kosovën, dhe mendova se ndoshta kjo luftë ishte rasti im i fundit për ta realizuar atë dëshirë.”
Zoti Demaçi, një romancier i kthyer në politikan radikal që urrehet nga serbët për përpjekjet e tij të hershme e të palëkundshme, e kaloi gjithë periudhën e luftës në Prishtinë, duke ecur rrugëve dhe duke shkuar në dyqan. Gruaja e tij e la Kosovën në fund të marsit, disa ditë pasi kishin filluar bombardimet e Nato-s, kur avokati i të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, bashkë me dy djemtë e tij ishte gjetur i vdekur pas arrestimit që iu kishte bërë policia.
Ama, zoti Demaçi qëndroi, bashkë me motrën e tij 70 vjeçare, e madje kishte pasur edhe përleshje me policinë, dhe dy arrestime.
Kur e kishin arrestuar, një ushtar serb e kishte kërcënuar, por ai iu kishte përgjigjur: “Ju keni armë, e unë nuk kam. Qëllomëni.” Ndërsa ushtarët dhe policët e tjerë serb ishin sillur mirë me të, shton ai.
“Nuk isha i lumtur derisa shihja serbë të zakonshëm derisa largoheshin prej këtu. Kurrë nuk ishim të rrezikuar nga serbët si serbë. Por të gjitha regjimet serbe nga viti 1878 e deri tash, i kanë mashtruar njerëzit e këtushëm, dhe çdo shtet ka mekanizma që t’i detyrojë njerëzit që të bëjnë gjëra të tmerrshme. Një regjim i keq ka aq shumë instrumente në dorë. Ndihem keq që i shoh derisa largohen, por poashtu e di se një numër i madh serbësh ishin të përfhsirë në krime e grabitje.”
Megjithatë, zoti Demaçi është një avokat i zoti i vendosur i një Kosove demokratike e multietnike, pavarësisht problemeve dhe frikërave momentale. “Nuk e pranoj lirinë vetëm për shqiptarët. Ne nuk jemi engjëj. Por na duhet të zgjedhim një rrugë tjetër, e cila nuk është hakmarrja, dhe që gjithë këto mizori e tragjedi janë bërë nga regjimi serb, e jo nga çdo serb.”
A është e mundur një politikë shqiptare e moderuar tash? “Nuk kemi rrugë tjetër,” përgjigjet ai. Shqiptarët e dinë se vetëm një politikë e moderuar, e gatshme që të garantojë liri për serbët dhe të gjithë të tjerët është e pranueshme. Ndryshe, as shqiptarët vetë nuk do të jenë të lirë.”
Zoti Demaçi, shumë misterioz sa i përket moshës, në fillim tha që ishte vetëm 39 vjeçar. Pas njëfarë ngulmimi, ai tha që data e tij e vërtetë e lindjes ishte 26 korriku i vitit 1935, por që në dokumente e kishte datën 26 shkurt 1936. “Isha një foshnjë e dobët, shëndetligë, dhe babi kishte refuzuar të më regjistronte. Por gjashtë muaj më vonë, nëna i kishte thënë: më mirë regjistroje. Nuk po duket që do të vdes.”
Përktheu nga New York Times, Periskopi.