Netflix pranë një emisioni frymëzues me Barack Obamën

Periskopi.com Fun

Netflix ndoshta është në prag të arritjes së marrëveshjes së shekullit pasi ka nisur bisedimet me ish-presidentin amerikan, Barack Obamën për një emision me një buxhet tejet të madh.

Sipas të përditshmes amerikane “New York Times”, negociatat e Obamës me Netflix janë në fazën e fundit dhe ish-udhëheqësi i SHBA-ve, ka ndërmend të prodhojë emisione ekskluzive për këtë rrjet.

Formati i emisionit dhe numri i episodeve ende nuk dihen ndërsa qarkullojnë thashetheme se 56-vjeçari dhe bashkëshortja, Michelle, duhet të rrëfejnë histori frymëzuese.

Një format i tillë me siguri do të frymëzojë një numër të madh njerëzish, por edhe do t’i sjell edhe më shumë popullaritet ish-çiftit të parë të Shteteve të Bashkuara.

“The New York Times” shkruan se marrëveshja e Obamës me Netflix nuk do të jetë një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj bashkëpunimit të presidentit aktual amerikan, Donald Trump me “Fox News” apo portalin Breitbart.com.

“Presidenti Obama dhe Michelle gjithmonë kanë besuar se tregimet ekskluzive kanë një fuqi të madhe për frymëzimin e njerëzve”, tha ish këshilltari i Obamës, Eric Schultz.

Obama ka 101 milionë ndjekës në llogarinë personale të Twitterit, 17.1 milionë ndjekës në Instagram dhe 55 milionë njerëz e ndjekin në Facebook.

Kritikët e televizionit parashikojnë se Obama dhe Michelle mund të drejtojnë energjinë e tyre për tregimet rreth shëndetit, të drejtës për të votuar, imigracionit, strehimit të të huajve dhe ndryshimeve klimatike.