Nëse dështon transferimi i Mbappes te Reali, madrilenët kanë ‘planin B’
Kylian Mbappe është “fiksimi” i vjetër i Real Madrid.
Edhe pse sulmuesi rinovoi kontratën me PSG në sezonin e fundit, sërish “Los Blancos” nuk ia dali ta heqin nga mendja 24-vjeçarin.
Ndaj, në verë pritet të ketë sërish zhvillime në aksin Paris-Madrid, edhe pse tratativa është nga më të ndërlikuarat për vetë shifrat marramendëse të cilat janë në lojë.
Duke njohur shkallën e vështirësisë, madrilenët kanë gati edhe planin B nëse Mbappe nuk mbërrin në Santiago Bernabeu. Në kampin spanjoll po mendojnë për Kingsley Coman të Bayern Munich dhe ata që zbulojnë prapaskenën janë mediat gjermane me në krye “Bild”.
Megjithatë, edhe bavarezët nuk hapin rrugë për shërbimet e 26-vjeçarit pasi nuk i ulin pretendimet prej 100 milionë euro, nisur kjo edhe nga kontrata e vlefshme deri në vitin 2027.
Në këtë sezon të Bundesliga-s, sulmuesi është aktivizuar në 13 ndeshje duke shënuar edhe tre gola teksa është pjesë e gjermanëve prej vitit 2015.