“Nëse dëshironi të përparoni, bashkëpunoni me të tjerët” – Deklarata e Von der Leyen për planin e rritjes për Ballkanin
Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar në samitin e Procesit të Berlinit deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, për vitet 2025-2028, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.
Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e 6 miliardë eurove, si dhe synon t’i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në.
Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit – përveç Bosnje e Hercegovinës – duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t’i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Duke folur në konferencën për media pas samitit, Von der Leyen tha se Plani i Rritjes “është më i rëndësishmi”.
“Nëse dëshironi të përparoni, bashkëpunoni me të tjerët. Është një proces i bazuar në merita”, tha ajo.
“Unë besoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së. Sundimi i ligjit dhe integrimi ekonomik janë të rëndësishëm. Prandaj, Procesi i Berlinit është një promotor i tregut të përbashkët për Ballkanin Perëndimor dhe është shumë e rëndësishme që ai të funksionojë pa probleme”, tha ajo.