Neoshqiptarizma si një sistem i jetës sonë kombëtare

Neoshqiptarizma si një sistem i jetës sonë kombëtare

Në historinë e kulturës shqiptare, janë të paktë ata krijues që kanë bërë kaq shumë dhe për të cilët kemi kaq pak të dhëna biografike. Ky është rasti emblemë i Branko Merxhanit, e ndoshta ky ishte edhe qëllimi tij. Të shfaqej ashtu në mënyrë enigmatike, të bënte të ditur projektin e tij dhe pastaj të zhdukej po në atë mënyrë që u shfaq, duke na lënë në dorë vetëm projektin e tij të zhvillimit shoqëror: Neoshqiptarizmën.

Ky projekt ishte e vetmja gjë që ai nuk dëshironte të kishte fatin e tij personal – shpërfilljen. Ai e orientonte shoqërinë shqiptare drejt modernizimit të saj, i ofronte asaj arritjet e shoqërive më të zhvilluara, kërkonte që këto elementë të ndërthureshin me elementë pozitivë të kësaj shoqërie, ta ndryshonin atë, pa e tjetërsuar.

Neoshqiptarizma nënkupton rinjohjen e realitetit dhe nevojën për ndryshimin e tij. Ajo beson në fuqinë e ideve për ndryshimin e shoqërisë. Jo te riformulimi i ideve të vjetra, por te krijimi i ideve të reja. Për të, shteti përbën përmbledhjen e personalitetit moral, shkencor, artistik, fetar dhe juridik të një turme njerëzore, teksa individi nuk është veçse një “krijesë me instinkt”. Vetëm shtrëngimi dhe “kallëpëzimi” i ndërgjegjes shoqërore këtë krijesë e transformon në një personalitet shoqëror. Për Neoshqiptarizmën, shtet do të thotë vullnet i shoqërisë.

Përfaqësuesit e saj u munduan të vendosin ekuilibër te shqiptari, duke vlerësuar natyrën e tij të dyfishtë, qoftë biologjike, por edhe të determinuar në natyrën e sjelljes sociale. Ai besonte se vlerësimi i natyrës së dyfishtë të njeriut, vendosja në ekuilibër e kërkesave biologjike individuale dhe respektimi i rregullave sociale është rruga që duhet të ndjekim në ndërtimin e sjelljes së njeriut dhe shoqërisë moderne. Filozofia, veçanërisht e Koçës, mund të paraqitet si “filozofi e njeriut”, si filozofi humanitare. Kultura e tij mbizotëruese ishte kulturë që bazohej në dy vlera themelore të konceptit republikan të demokracisë, që e përcakton politikën duke u nisur nga njeriu dhe e shtron problemin e politikës në aksin e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe pushtetit. Në çdo rast pikënisja është individi dhe respektimi i të drejtave themelore. Me fjalë të tjera, shoqëria, organizimi politik dhe pushteti janë vetëm mjete që kanë për qëllim realizimin e plotë të njeriut dhe respektimin e dinjitetit të tij.

Mangësia historike e mospërputhjes së ndërgjegjes civile të masës dërmuese të popullsisë shqiptare me ndërgjegjen institucionale si detyrim ligji, si shtrëngim racional rregulli, si kohezion bashkëjetese, e sjellin situatën edhe sot, për shumë shtresa të shoqërisë, në detyrimin dhe gjetjen e nyjëzimit të munguar me atë mendim, për të kryer kështu lidhjen e vijimësisë historike, që na kërkon si specifikë të saj vetë njësia e mendimit diakronik shqiptar, që ne e kemi quajtur “mendimi ynë historik”. Kjo ka qenë detyra jonë themelore në këtë periudhë të dekadave të para të shekullit XXI. Veçse duke njohur veprat dhe trashëgiminë që na ka lënë neoshqiptarizma dhe mendimi shqiptar në përgjithësi, na duhet të “horizontojmë” me ta edhe perspektivat. Na duhet të krijojmë nyjëzimin e njësisë së mendimit tonë në histori, që na është çhallkëzuar në mënyrë të sforcuar, pasi organikisht ai është ruajtur gjatë gjithë viteve të komunizmit nga kodi i burimit etnik. Kemi nevojë për evropianizimin për t’u integruar, dhe jo për integrimin për t’u evropianizuar, njëlloj, siç ishte në thelb edhe shpirti i neoshqiptarizmës. Ndaj, nyjëzimi që na nevojitet duhet të nisë pikërisht te ky mendim, që ka tipare të forta evropianizuese në raportet e tij me një valencë antropologjike vendore.

Vangjel Koça dhe Branko Merxhani mund të përfshihen nën një traditë shkencore të Perëndimit, të konceptit filozofik analitik, pasi ajo përcaktohet si një mënyrë e mendimit që merr si premisë ndarjen midis ta kaluarës dhe të ardhmes. Jo më kot Merxhani bazën themelore të veprimit neoshqiptar e përcakton si gjurmim analitik të fenomeneve psikologjikë dhe sociologjikë të jetës sonë kolektive. Edhe pse neoshqiptarizmi në themelet e tij kishte kombëtaren, ajo ishte lëvizja më e rëndësishme mendore e kohës, që bazohej në idetë pozitiviste të Ogyst Kontit e të Emil Dyrkheimit. Pozitivizmi ishte i afërt për intelektualët shqiptarë për arsye se i afirmonte idetë për përhapjen e shkencës dhe të kulturës. Këto ide, që ishin kundër mbeturinave të feudalizmit, neoshqiptarizmi i kishte përfshirë në programin e tij. Në Shqipëri zhvillimi shoqëror, kulturor e arsimor ishte në një shkallë tejet të ulët. Nëse në kohën e Rilindjes ishin poetët që përpiqeshin ta artikulonin kombin, në këtë periudhë mendimtarët janë ata që mundoheshin ta bënin të pashlyeshme në kokat e shqiptarëve idenë për kombin dhe në këtë mënyrë t’i kundërviheshin të keqes, resë bolshevike që vinte nga Lindja e që pretendonte ta përfshinte gjithë Evropën.

Neoshqiptarizmi lindi si një rrymë intelektuale filozofike në shoqërinë shqiptare aty nga viti 1928, ndonëse rrënjët, sikundër theksonin ithtarët e saj, duheshin kërkuar në lëvizjen e Rilindjes. Nacionalistët shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë i patën përqendruar të gjitha energjitë e tyre për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane, por pavarësia vetë qe vetëm gjysma e punës. Ajo çfarë kërkohej tani, ishte të krijohej e të çimentohej një identitet kombëtar, një vetëdije shqiptare për ta nxjerrë popullin nga errësira e padija, d.m.th. ishte nevoja për një lëvizje kombëtare të dytë. Merxhani e quante Shqipërinë “një qenie e kufizuar së jashtmi dhe e pakufishme së brendshmi”. (552) Për herë të parë, së bashku me Vangjel Koçën, ai kishte mbrojtur e propaganduar ideologjinë nacionaliste të Neoshqiptarizmit më 1929 në faqet e së përjavshmes me tirazh të mirë “Demokratia” të Gjirokastrës dhe në revistën e përmuajshme jetëshkurtër me titull “Neoshqiptarizmi”, që kishte nisur botimin në korrik.

“Neoshqiptarizmi” mbështetej në ideologjinë nacionaliste. Ai luftonte për progres social si themel të procesit intelektual, por nuk përkrahte rrugën e angazhimit të drejtpërdrejtë politik për shndërrime sociale ose për zhdukjen e strukturave tradicionale politike e sociale. Në formën e vet fillestare qe një lëvizje kulturore, jo politike, siç shihet edhe në parullën: “Politikë s’ka! Vetëm kulturë!”. Ne gjykojmë se Neoshqiptarizma e viteve 30-të ishte më shumë se një lëvizje mendore. Ajo ishte rrymë filozofike dhe një shkollë, ku në programin e saj bazë kishte ndërtimin e Shqipërisë së brendshme, Shqipërisë shpirtërore. Liria politike, edhe pse e cunguar pa shumë troje brenda, ishte fituar. Në fund të fundit ishte krijuar shteti shqiptar, i cili do ishte edhe frymëzimi historik i gjithë shqiptarëve. Por që të arrinin shqiptarët të shkonin në Evropë, ashtu siç kishin predikuar rilindasit, por ashtu siç kishin qëllim edhe neoshqiptarët, në fillim duhej të bëheshin shqiptarë të vërtetë. Kjo ishte detyrë e vështirë, sepse është e kuptueshme që ndryshimet e brendshme janë edhe më komplekse se sa ndryshimet që sjell gryka e pushkës.

Duke kritikuar mënyrën orientale të jetës shqiptare dhe plagët historike që kishin lënë si trashëgim pushtimet e shumta dhe të njëpasnjëshme historike, ata predikuan në mënyrë shumë të kulturuar dhe të arsyetuar mënyrën oksidentale të jetesës prej së cilës do të vinte edhe fati i ri historik i shqiptarëve. Ndaj, qytetaria e re që propozuan duhej të ishte e mbështetur nga një filozofi kombëtare. “Kërkimi themelor i Neo-Shqiptarismës vjen nga Djalëria, nga ajo Djalëri e cila, e ndritur me fenerin e mendjes, ndjen pa dyshim përkundrejt fatit historik të Atdheut një respekt të thellë dhe është vënë me mish e me shpirt në rrugën e fatit dhe të së ardhmes është ky: Të ndjekë një formë shkencore në gjurmimet dhe në përkufizimet, si edhe një kuptim filozofik të plotë në idealin kombëtar”. Drita është shkenca, bota e realiteteve. Problemi i jetës, misteri i së ardhmes, kanë nevojë për këtë dritë.

Një pikë tjetër e rëndësishme në shpjegimin historisë është edhe përballja klasike dhe tradicionale midis Esencializmit dhe Nominalizmit. Dihet që këto dy qëndrime të kundërta filozofike janë marrë me problemin e universaleve, të cilat i kanë fillesat që në filozofitë e Platonit dhe Aristotelit, duke arritur kulmin në filozofitë skolastike mesjetare. Kështu, njëra palë thoshte se universalet ndryshojnë prej emrave të përveçëm dhe se u ngjiten përbërësve të një bashkësie ose klase sendesh të veçanta. Kjo është doktrina më nominaliste. Ajo është e kundërt me doktrinën tradicionalisht të quajtur realizëm, të cilën Popperi propozon ta emërojnë esencializëm. Por, thelbi është gjithmonë diçka universale. Shkolla e esencialistëve metodologjikë e themeluar prej Aristotelit, thekson se kërkimi shkencor duhet të depërtojë në thelbin e sendeve me qëllim që t’i shpjegojë ato. Në këtë kontekst arsyetimi, si rrymë, Neoshqiptarizma shfaq së pari elemente të vlerësueshëm me natyrë kombëtare, duke përbërë, sipas mendimit tim, edhe pikëpamjen më të përpunuar dhe më të plotë kombëtare.

Duke kapur këtë aspekt themi se ajo mund të përcaktohet si atdhetarizëm i ri ose atdhetarizmi i viteve 1930. Ky mendim mbështetet duke u nisur nga marrëdhëniet që ajo përcakton me të kaluarën e popullit shqiptar, e kaluar kjo historike, ekonomike, politike, kulturore, mendore, etj. Sipas pikëpamjeve të përfaqësuesve kryesorë të kësaj rryme, periudhat kur atdhetarizmi shqiptar kishte krijuar elementët thelbësorë të tij ishin periudha e Skënderbeut dhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndërsa në epokën e Skënderbeut ky nacionalizëm ishte në foshnjërinë e tij, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare ai fitoi përbërës më tërësorë, fitoi plotërinë dhe kjo përcaktoi dhe një epilog të arsyeshëm dhe mjaft pozitiv për të ardhmen e Shqipërisë-shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Për këtë, përgjithësisht, përfaqësuesit kryesorë të kësaj rryme përmendin si argument ekzistencën e një ideali gjatë Rilindjes Kombëtare. Nevojën e rishfaqjes së një ideali të tillë si ai që kishte gjatë Rilindjes Kombëtare ata, përgjithësisht, e quanin të nevojshëm, të dobishëm e të domosdoshëm edhe për Shqipërinë e viteve 30‟-të.

Reformat shoqërore që neoshqiptarizma i quan përgjithësisht të arsyeshme janë të domosdoshme të orientohen në zgjidhjen e problemeve morale e psikosintetike, domethënë ato duhet të zhvilloheshin brenda kornizave thjesht nacionaliste e demokratike. Reformat shoqërore lipset të kenë parasysh individin, duke iu kundërvënë apo kundërshtuar teoritë filozofike të majta që prireshin drejt reformave me natyrë të përgjithshme shoqërore. Kjo, i përfshin neoshqiptarët tek individualizmi metodologjik në filozofinë e historisë, sepse mendimi i tyre lidhet me idenë se të gjitha dukuritë kolektive që dalin si veprime, bashkëveprime, qëllime, shpresa dhe mendime të njeriut individual i përshtaten traditave të krijuara nga ky individ.

Vangjel Koça, që ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të Neoshqiptarizmës, e shihte regjimin monarkik si një regjim “pozitiv”, që kishte si objektiv të vetin të luftonte kundër tendencave antishoqërore, duke realizuar, gjithashtu, një proces përparimi që ta ngrinte shoqërinë në nivelin e kulturës dhe të qytetërimit. Përveç vlerësimit të rolit të monarkisë dhe rolit të veçantë që i njihnin vetes, përfaqësuesit e kësaj rryme, duke mbështetur procesin e përparimit të Shqipërisë, në përgjithësi, përkrahnin dhe i quanin pozitive kabinetet qeveritare, që së bashku me parlamentin ishin nismëtarë për paraqitjen dhe zbatimin e politikave ekonomike, kulturore, shoqërore në Shqipëri në kuadrin e strategjisë për zhvillimin kapitalist të saj.

Përpos kësaj, instrumentalizimi i demokracisë quhej një proces i natyrshëm dhe mjaft i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, ku nëpërmjet procesit të zgjedhjeve, të ngjashëm me modelin zgjedhor të shoqërive perëndimore, por dhe me specifikat shqiptare, shpresohej të realizohej përparimi i natyrshëm dhe në këtë fushë. Sipas neoshqiptarëve, modeli zgjedhor i ngjashëm me atë të vendeve perëndimore mund të realizohej në qytetet e mëdha, si: Gjirokastra, Vlora, Korça, Durrësi, Shkodra, etj., ndërsa në krahinat më pak të zhvilluara mund të praktikohej edhe më tej sistemi zgjedhor me zgjedhës të dytë. Duke shqyrtuar organizimet dhe përvojat politike që kishte Evropa, përfaqësuesit e neoshqiptarizmës analizuan jo vetëm sistemin tradicional borgjez perëndimor, por dhe sistemin fashist, si dhe modelin e ndërtuar në Turqi nga Mustafa Qemal Ataturku. Regjimin fashist, në përgjithësi ata nuk e quanin të përshtatshëm për Shqipërinë, sepse, sipas Vangjel Koçës, ai ishte i përshtatshëm vetëm për sistemet dhe strukturat sociale gjysmëkapitaliste, por i papërshtatshëm për sistemet dhe strukturat kapitaliste të vendeve të zhvilluara dhe për sistemet dhe strukturat jokapitaliste si ajo e Shqipërisë.

Duke shtruar p.sh. nevojën e reformave ekonomike, neoshqiptarët morën parasysh shumë përvoja të vendeve të ndryshme me pikësynimin që ato t’i përdornin në Shqipëri. Për këtë arsye, ata analizuan përvojën e Mustafa Qemal Ataturkut në fushën e reformave ekonomike dhe të sistemit republikan që realizoi në Turqi. Për neoshqiptarët, qemalizmi jo vetëm ishte përparim për Turqinë, por ai i përshtatej më shumë natyrës dhe psikologjisë së shqiptarëve, sesa fashizmi. Sipas përfaqësuesve kryesorë të këtij mendimi, formula progres-rend-rregull, e parë në kushtet e Shqipërisë, do të thoshte se progresin mund ta mbështeste e ta realizonte çdo regjim. Përgjithësisht, ata mendonin se rruga e zhvillimit borgjez ishte tashmë parimi i progresit të shoqërisë shqiptare dhe përpos ngadalësisë, ajo ecte në këtë rrugë. B. Merxhani, ndër të tjera, nënvizonte se zhvillimi i shoqërisë në rrugën borgjeze dhe pa trazira, d.m.th. pa tronditje shoqërore i përshtatej strukturës bujqësore borgjeze (borgjezi e vogël) të Shqipërisë, së cilës i mungonte industria dhe proletariati. Feudalizmi ndodhej në shkatërrim e sipër dhe Shqipëria shkonte drejt një demokracie si një organizim kulturor dhe si një organizim ekonomik”. Duke trajtuar problemin e rrugëve për përparimin e Shqipërisë .në bujqësi dhe në industri, në fushën kulturore, arsimore e mendore, neoshqiptarët shtjelluan mjaft pikëpamje se si mund të realizoheshin përparimet cilësore në bujqësi dhe në industri duke u mbështetur në orientimet e tyre më të përgjithshme. Përfaqësuesit kryesorë të këtij mendimi përkrahnin idenë e zhvillimit të bujqësisë, duke u mbështetur nga shteti. Ata trajtuan gjerësisht edhe rrugët e realizimit të këtij zhvillimi. Ata mendonin se për kushtet e Shqipërisë ishte më e përshtatshme rruga prusiane dhe jo ajo bolshevike.

Të gjitha këto parime që ata i përdorën për të gjetur formën më të mirë të zhvillimit të jetës sonë kombëtare, bazuar në një filozofi kombëtare, qe pikërisht ajo shtylla e parë e sistemit të jetës kombëtare që ata projektuan e që menduan të konkretizohej nëpërmjet tre kombëtarizimeve të mëdha: kombëtarizimit të nacionalizmit, kombëtarizimit të gjuhës dhe literaturës klasike, dhe sidomos kombëtarizimit të shkencës. Duke e bashkuar këtë sistem njëherësh dhe me shkencën e shtetit që ideuan të ndërtonin nëpërmjet procesit të reformizmit, mund të arrijmë në përfundimin se ata krijuan një projekt për një sistem-vend shqiptar.

Shpërndaje në:
TË NGJASHME
Mbi 90 mijë të regjistruar për votim nga mërgata

Mbi 90.000 qytetarë jashtë Kosovës janë regjistruar si votues për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit,…

Haxhiu për Kurtin: Ne ia kemi lënë Kosovën me drita, ndërsa ky sot e ka kthyer në terr

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, fajëson Qeverinë Kurti për problemet me energjinë elektrike, duke thënë…

Kastrati: 200 mijë qytetarë kanë ik prej zorit

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka shprehur shqetësim të thellë për rritjen e emigrimit nga…

Puna në fundjavë rrit rreziqet e depresionit

Nëse vazhdimisht jeni duke punuar jashtë orarit dhe më shumë sesa ç’rekomandohet, le t’ju rikujtojmë…

“Është e patolerueshme” – Banorët e Prizrenit thërrasin protestë kundër reduktimit të mëdha të energjisë

Banorët e tri fshatrave të Prizrenit kanë paralajmëruar një protestë të organizuar për shkak të…

Sulmi në Ibër-Lepenc, Haradinaj: Qeveria ka pasur informata paraprakisht

Daut Haradinaj, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se…

Abdixhiku: LDK sonte ka festë, mbi 40 mijë mbështetës tanë në mërgatë janë regjistruar për të votuar

Kandidati i LDK-së për kryeministër, njëherit kryetar i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar…