Nënkryetarja e shkarkuar e Zveçanit: Gjithçka që ka thënë kryetari është gënjeshtër
Natasha Tomaniq, e shkarkuar nga pozita e nënkryetares së komunës së Zveçanit, ka thënë se e ka pritur këtë vendim dhe se diskriminimi ndaj serbëve vazhdon që nga dita e parë.
Ajo po ashtu ka pretenduar se “gjithçka që ka thënë kryetari i komunës, Ilir Peci është gënjeshtër”.
“Këtë e kam pritur, që nga dita e parë ka pasur diskriminim, jo vetëm ndaj meje, por ndaj të gjithë serbëve. Më intereson se për çfarë mashtrimesh bëhet fjalë, duke filluar nga kontratat e punës, ndihma sociale, projektet e gjithçka tjetër… Gjithçka që ka thënë kryetari ishte gënjeshtër. Në fakt nuk po bëhet asgjë, vetëm se po shpenzohen para nga buxheti”, ka deklaruar ajo, transmeton Paparaci.
Dje në Kuvendin e Komunës së Zveçanit është marrë vendimi unanim për shkarkimin e Tomaniqit me 17 vota për dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa Ilir Peci ka thënë se ky vendim është i arsyetuar për shkak se Tomaniqi vazhdimisht ka shkelur kompetencat e saj, si dhe ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj serbëve në Komunë, e për çka tre prej tyre kanë dhënë dorëheqje.