Nënkryetarja e PDK-së: Dialogu në “vdekje klinike”

Nënkryetarja e PDK-së: Dialogu në “vdekje klinike”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Mimoza Ahmetaj, thotë se procesi i dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po shkon drejt “vdekjes klinike”.

Ajo deklaron se përkundër takimeve në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel nuk pret rezultate konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur vitin e kaluar nga Kosova dhe Serbia.Sipas saj, kryeministri Albin Kurti, pavarësisht presionit ndërkombëtar nuk do ta dërgojë draft-statutin e asociacionit në Kushtetuese, kur kanë mbetur edhe tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ahmetaj në një intervistë për KosovaPress flet për vizitën e sotme të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, mesazhet amerikane ndaj Kosovës, veprimet e qeverisë në veri dhe përgatitjet e PDK-së për zgjedhjet e shkurtit 2025.

Sipas saj, kreu qeveritar do të mundohet të shtyjë themelimin e asociacionit deri pas zgjedhjeve, në mënyrë që të mos i mbetet “patatja e nxehtë” në duar dhe të humbë vota.

Duke folur për vizitën e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ditë më parë në Kosovë, ajo deklaron se ai shprehu pakënaqësinë me politikën e Prishtinës zyrtare.

Sa i përket vizitës së sotme të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Ahmetaj konsideron se për çështja e dialogut do të mbetet  element kyç për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian në të ardhmen.

Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së, kritikon ekzekutivin se në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri e ka tkurrur sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Duke folur për mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, ajo paralajmëron se një gjë e tillë do të ndodhë edhe me një mision tjetër diplomatik, duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje.

Krahas këtyre, Ahmetaj thotë se PDK-ja synon t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt 2025, derisa shprehet e rezervuar për koalicionet e mundshme.

Ajo kritikon shumicën parlamentare për ikje nga seancat e jashtëzakonshme, të ftuara nga opozita, gjë e cila sipas saj, tregon se pushteti aktual nuk është në gjendje të ballafaqohet me të vërtetën dhe konsekuencat si rezultat i politikave të të saja të gabuara katërvjeçare.

Shpërndaje në: