“Në vend që të merrej me sulmin, shpikën çështjen e dinarit, nuk arriti të mbrohet” – Dy parti opozitare kritikojnë pushtetin e Kurtit për qasjen e tyre ndaj sulmit në Banjskë

“Në vend që të merrej me sulmin, shpikën çështjen e dinarit, nuk arriti të mbrohet” – Dy parti opozitare kritikojnë pushtetin e Kurtit për qasjen e tyre ndaj sulmit në Banjskë

Sulmi në Banjskë që ndodhi në vitin e kaluar nga një grup terroristësh në krye me kriminelin, Millan Radoiçiq, nuk u përdor ashtu siç do të duhej nga Qeveria e Kosovës.

Kështu thonë nga dy parti opozitare në Kosovë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj në një prononcim për Periskopin ka thënë se Qeveria e Kurtit në vend se të merrej me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar, ata shpikën çështjen e dinarit.

E, sipas tij kjo u bë shkas që të zbehet çështja e sulmit në sytë e ndërkombëtarëve.

Mendoj që Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm, apo ka bërë fare pak në lidhje me sulmin terrorist sidomos pas këtij sulmi, në vend që të fokusohet dhe të alarmojë, të bëjë presion, të caktojë kushte ndaj ndërmjetësuese evropian dhe të kërkojë nga SHBA presion dhe përgjegjësi nga Serbia, ata e shpikën cështjen e dinarit, dhe një mënyrë u zbeh cështja e sulmit terrorist në Banjskë. Në vend se në Këshillin e Sigurimit të diskutohet vazhdimisht për sulmin në Banjskë, atje Kosova u hodh në bankën e të akuzuarve pikërisht për shkak të dinarit të cilin Qeveria e ka zgjedhur kohën në mënyrë jo të mecme që të zgjedhet me të”,  ka thënë Qalaj.

Qalaj komentoi edhe kritikat që Kurti bashkë me vartësit e tij i kanë bërë kundrejt Prokurorisë pas ngritjes së aktakuzës për sulmin në Banjskë.

Ai për Periskopin tha se askush nga Qeveria nuk ka të drejtë të bëjë presion ndaj sistemit të drejtësisë.

“Mendoj që aktakuza është mjaft e kompletuar, mendoj që Prokuroria ka punuar në mënyrë profesionale, mendoj që ka bërë një punë mjaft të mirë, ndërsa kritikat e Qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë janë të padrejta, është përzierje në punën e e drejtësisë, është presion ndaj punës së drejtësisë, dhe Qeveria nuk ka të drejt absolutisht të caktojë afate apo kushte në raport me Prokurorin e shtetit”, ka thënë Qalaj për Periskopin.

Kritika për Qeverinë e Kurtit pati edhe deputeti I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

Ai në një prononcim për Periskopin ka thënë se kjo qeveri nuk ka arritur të mbrojë rastin e Bansjkës.

Sipas Lekajt, pushteti i Kurtit është marr me tema që nuk janë aspak të rëndësishme për vendin.

“Qeveria Kurti rastin e Banjskës nuk ka arritur as ta mbrojë dhe as ta ngrisë si temë në qarqet ndërkombëtare dhe përballë Serbisë. E para, ky pushtet është dashur që pas këtij rasti terrorist, ti krijojë kushtet e punës Policisë së Kosovës veçanërisht atyre të veriut, rritjen e pagave dhe sigurimin në vendin e punës. E dyta, ky pushtet nuk ka krijuar plane dhe strategji që Ministri i Brendshëm dhe Ministrja e Jashtme të bëjnë takime të nivelit të lartë me qarqet e sigurisë të vendeve evropiane që të zbardhet sa më shpejtë dhe sa më mirë e vërteta, dhe rrjedhimisht fajtorët të vihen para përgjegjësisë. Dhe kjo ka munguar. Qeveria Kurti fatkeqësisht më shumë ka koncetruar energjinë dhe politikat që të krijojnë lajme e iluzione sesi duhet të ishte një qeverisje e jetë normale sesa të merren konkretë me temat më të rëndësishme për vendin”, ka thënë ai.

Kurti nuk ka treguar dituri përballë Serbisë, thotë Lekaj.

“Qeveria Kurti në dialog dhe proceset tjera përballë Serbisë, nuk ka tregur forcë dhe dituri që të ngrisë temat që kërkonin përgjigje dhe masa nga Serbia. Fatmirësisht ndërkombëtarët janë angazhuar dhe e kanë parë Serbinë e vërtetë, por jo për shkak të gadishmërisë dhe ofrimit të bashkëpunimit për nxjerrjen e të vërtetës, nga ky pushtet. Policia dhe Institucionet e Sigurisë së vendit kanë treguar një zotësi e menaxhim profesional të nivelt evropian në rastin e Banjskës, ndërsa Qeveria Kurti nuk ja ka dhënë mbështetjen e nevojshme politike kësaj çështje”, ka deklaruar ai për Periskopin.

Në Banjskë të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të Banjskës.

Sipas Prokurorisë, ata kanë prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Serbia ia ofroi krejt infrastrukturën e nevojshme ushtarake, si dhe trajnimin e pjesëmarrësve.

Aktakuza është ngritur ndaj 45 të pandehurve: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iiq dhe Vladan Iliq./Periskopi

 

Shpërndaje në: