Në rigjykim, dënohet me 4 vjet burgim i akuzuari për shtytje në vetëvrasje
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Leotrim Shala, duke e dënuar me 4 vjet burgim për shtytje në vetëvrasje të tani të ndjerës B.I.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Shala është shpallur të martën nga gjykatësja e rastit, Marigona Lajçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Leotrim Shala u shpall fajtor për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” dhe të njëjtit iu shqiptua dënim në kohëzgjatje prej 4 vjet burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
I akuzuarit obligohet që t’i paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore, dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera në emër të fondit për viktimat e krimit.
Gjykata, palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore- juridike i udhëzoi në kontest civil.
Gjykatësja Lajçi gjatë shpalljes së aktgjykimit, tha se gjykata me rastin e rigjykimit ka marrë parasysh vërejtjet dhe udhëzimet e Gjykatës së Apelit, sidomos lidhur me vlerësimin e deklaratave të disa dëshmitarëve dhe deklaratave të të akuzuarit, të dhëna në Polici.
Ajo tha se meqenëse në gjykimin e kaluar çështja është gjykuar nga një gjykatës tjetër dhe me qëllim të vërtetimit të saktë dhe të drejtë të gjendjes faktike, janë proceduar sërish të githë dëshmitarët, janë administruar të gjitha provat materiale, duke përfshirë edhe prova të reja që janë paraqitur në këtë shqyrtim gjyqësor.
Tutje, gjykatësja theksoi se fakti që i akuzuari është fajtor për veprën që i vihet në barrë është vërtetuar nga deklaratat e dëshmitarëve, si dhe nga komunikimet e tani të ndjerës me shoqen e saj në Instagram (ku i kishte treguar për maltretimet që i kishte përjetuar nga tani i akuzuari). Gjithashtu, tha se janë vlerësuar edhe komunikimet mes tani të akuzuarit dhe tani të ndjerës, ku pas një mosmarrëveshje e kishte kanosur dhe sharë viktimën.
Lidhur me këto komunikime, Shala e kishte pranuar në Polici se e kishte kanosur tani të ndjerën edhe më herët, duke thënë se s’ka qenë diçka serioze, por që e kishte bërë me qëllim që mosmarrëveshja mes tyre mos të bëhej e madhe tek familjarët. Më tej, u tha se në Polici i akuzuari e kishte pranuar se kishte ndikuar që tani e ndjera ta lë punën dhe i kishte ndaluar kontaktet me shoqet e saj, me arsyetimin se nuk janë të mira dhe se ambienti i punës ku ka punuar nuk ka qenë i mirë.
Gjatë shpalljes, gjykatësja po ashtu theksoi se i akuzuari kishte thënë që edhe më herët tani e ndjera kishte shfaqur shqetësime se është duke e menduar vetëvrasjen. Andaj, për faktin që i akuzuari ka qenë në dijeni për gjendjen jostabile të tani të ndjerës dhe përkundër kësaj prapë ka ushtruar presion ndaj të njëjtës derisa ajo ka ardhë në gjendje sa të kryejë vetëvrasje, Gjykata të akuzuarin e bën përgjegjës.
Më tej, u tha se fakti që i akuzuari me tani të ndjerën vetëm dy orë para ngjarjes kritike kishin pasur një mosmarrëveshje, e pas saj derisa B.I., ishte duke u përgatitur për vetëvrasje, e thërret të akuzuarin dhe gjatë thirrjes me video e kryen aktin e vetëvrasjes, kjo rrethanë në ndërlidhje me rrethanat e tjera nuk kanë ndonjë interpretim tjetër vetëm se viktima aktin e vetëvrasjes e ka kryer duke qenë e shtyrë nga i akuzuari.
Me rastin e caktimit të dënimit, u tha se Gjykata ka marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Ndryshe, të pranishëm në shpallje ishin prokurorja Ajtene Zoni, dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Shyqyri Syla.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi.
Ndryshe, në gjykimin e parë, i akuzuari Leotrim Shala më 4 dhjetor 2023 ishte liruar nga akuza pasi nuk ishte vërtetuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.
Por, kundër këtij aktgjykimi ankesë në Gjykatën e Apelit, kishte ushtruar Prokuroria Themelore e Mitrovicës, dhe pas shqyrtimit të ankesës, më 8 gusht 2024, Apeli anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu çështjen në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 6 mars 2023, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Leotrim Shala, i cili ngarkohej se nga 30 dhjetori 2021 e deri më 8 shtator 2022, në fshatin Vinarc i Poshtëm në Mitrovicë, përmes sjelljeve dhe veprimeve të tij, e ka nxitur tani të ndjerën B.I., që të kryejë vetëvrasje.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shala gjatë lidhjes së tij me tani të ndjerën B.I., në mënyrë të vazhdueshme e kishte rrahur, keqtrajtuar, kanosur dhe e kishte ndaluar që të punojë, të shoqërohet dhe t’i vizitojë të afërmit e saj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, veprimet e lartcekura të të pandehurit Shala kishin shkaktuar presion të lartë psikik tek tani e ndjera B.I., e cila më 8 shtator 2022, përmes telefonit e kishte thirrë tani të pandehurin Shala me kamerë dhe kishte kryer vetëvrasje.
Me këto veprime, Leotrim Shala akuzohej se ka kryer veprën penale “Shtytja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje” nga neni 177, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës