Në prag të fushatës, Nagavci tentoi t’ua presë shiritin dy objekteve ende pa përfunduar punimet – reagon Kryetari i Vitisë
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, kishte planifikuar të bënte përurimin e dy objekteve në Viti, ende pa përfunduar punimet, e në prag të fillimit të fushatës zgjedhore. Bëhet fjalë për objektin e ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran dhe të çerdhes publike në Drobesh, shkruan Reporteri.net.
Ceremonitë e përurimit ishin planifikuar për sot nga ora 10:00, përkatësisht 11:00, por në moment të fundit janë anuluar si aktivitete.
“Ju njoftojmë se janë anuluar aktivitetet e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të parapara që të mbahen ditën e sotme në Viti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga MASHT.
Lidhur me këtë çështje, ka dalë me një reagim edhe Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Haliti ka thënë se kishin marrë shkresë nga MASHT më 6 janar për përurimin e këtyre objekteve, por se pas inspektimeve që ka kryer ai bashkë me inxhinierë, kanë parë se punimet po vazhdojnë dhe se janë të papërfunduara. Për këtë çështje, thotë ta ketë njoftuar Ministrinë.
“Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Komuna e Vitisë.
Sa i përket çerdhes në Drobesh, Haliti ka thënë se është financuar me buxhet komunal, teksa ka folur për procedurat e rekrutimit.
“Ndërkaq, lidhur me çerdhen publike në Drobesh të Vitisë, e cila është financuar me buxhetin komunal, ju njoftojmë se do të zhvillohen procedurat e rekrutimit dhe pranimit në punë të stafit përkatës, me qëllim që filizat e rinj t’i pranojmë sa më parë në këtë çerdhe publike”, thuhet tutje në njoftim.