Në Mitrovicë, derbi i skuadrave që po kalojnë formë të lartë

Në Mitrovicë, derbi i skuadrave që po kalojnë formë të lartë

Formën dhe rezultatet e mira të këtij viti Prishtina do të mundohet t’i vazhdojë edhe kundër Trepçës ’89, ekip që gjithashtu në pranverë nuk di për humbje.

Ndeshja ndërmjet këtyre dy skuadrave, që luhet të shtunën prej orës 13:00, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, do të hapë xhiron e 22-të në Superligën e Kosovës në futboll. Në fakt dueli Trepça ’89 – Prishtina llogaritet derbi i kësaj xhiroje, duke pasur parasysh formën dhe rezultatet që kanë treguar skuadrat në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës.

Prishtina është e treta në tabelë me 41 pikë të mbledhura, katër më pak se Ballkani që është lider dhe tri më pak se Drita që renditet e dyta. Ndërkohë Trepça ’89 zë vendin e pestë me 28 pikë.

Kapiteni i ekipit nga Mitrovica, Muharrem Jashari, pranon se përballë kanë një kundërshtar të fortë, por insiston se 89-shi synim e ka vazhdimin e formës së mirë. Në tri ndeshjet e Superligës të luajtura në pranverë, Trepça ’89 nuk di për humbje. Ka dy fitore dhe një barazim. Madje, në dy ndeshjet e fundit ka triumfuar, ndaj Dritës (2:1) në udhëtim dhe Llapit (1:0) në shtëpi. Me fitoren ndaj Dritës, Trepça ’89 i ka dhënë fund serisë së kampiones në fuqi prej 12 ndeshjeve pa humbje në kampionat. Stopimin e një serie të tillë 89-shi po synon edhe ndaj Prishtinës, ekip që nuk di për humbje në 15 ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Në të vërtetë Trepça ’89 nuk di për humbje në shtëpi në pesë ndeshjet e fundit, ka tri fitore e dy barazime.

“Jemi në një seri shumë të mirë, por me të cilën nuk e kemi ndërmend të kënaqemi për shkak se si ekip kemi potencial më të madh dhe mund të arrijmë shumë më shumë se kaq. Kështu që për ndeshjen me Prishtinën jemi përgatitur dhe do të futemi në fushë maksimalisht të motivuar për të vazhduar formën e mirë të pranverës”, është shprehur Jashari për KOHËN. “Shpresoj shumë që do të marrim një rezultat pozitiv pasi luajmë edhe në shtëpi ku nuk kemi humbje në disa ndeshjet e fundit”.

Te Prishtina e kanë parasysh se udhëtimi në Mitrovicë nuk do të jetë aspak i lehtë. Këtë e pranon edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Besnik Krasniqi. Megjithatë, Krasniqi ka besim të madh se Prishtina do ta fitojë edhe këtë ndeshje për të dëshmuar formën e mirë që po kalon këtë vit. Në pesë ndeshje të luajtura në pranverë Prishtina ka po aq fitore. Tri i ka në kampionat, një për Superkupë e një tjetër në Kupë. Krasniqi thotë se vetëm fitorja do ta mbajë Prishtinën afër kreut të tabelës dhe në luftë për titullin e kampionit. Prishtina nuk e ka fituar titullin prej vitit 2013.

“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe për këtë jemi të vetëdijshëm. Trepça ’89 gjithmonë është një ‘arrë e fortë’ kur luan në shtëpi dhe për këtë jemi përgatitur mjaft mirë gjatë ditëve të fundit. Synimi është të fitojmë dhe do të udhëtojmë në Mitrovicë për të dhënë maksimumin që të kthehemi me pikët e plota”, është shprehur Krasniqi.

Optimist sikurse Krasniqi është edhe kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku.

“Na pret një ndeshje e fortë duke pasur parasysh formën e mirë të Trepçës ’89. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të vazhdojmë serinë e fitoreve, që do të jetë shumë e rëndësishme”, tha ai.

Ndërkohë të dielën në duelin që do të luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” skuadra e Llapit do të tentojë ta ndalë Ballkanin. Llapi, që ka dy humbje e një fitore në tri ndeshjet kampionale të këtij viti, nuk ka opsion tjetër veç fitores përballë liderit, për të ikur nga pjesa e poshtme e tabelës. Llapi zë vendin e tetë me 23 pikë, sa i ka edhe Drenica, që është e parafundit në tabelë.

Trajneri Tahir Batatina ka thënë se Llapi do të futet për fitore pasi luan në shtëpi dhe nuk mund të lëshojë pikë. Në ndeshjen e fundit si vendas Llapi e mposhti Gjilanin (3:1), vikendin e kaluar. Ballkani nuk di për humbje në fazën e tretë, në të cilën ka dy fitore e një barazim, seri të cilën synon t’ia ndërpresë Llapi.

“Pres një ndeshje të vështirë pasi Ballkani ka një super ekip dhe është i fortë, gjë që e ka dëshmuar edhe në pranverë. Por ne do të mundohemi ta bëjmë punën tonë si ekip dhe ta fitojmë këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme”, është shprehur Batatina.

Kjo ndeshje luhet prej orës 13:30, kurse gjysmë orë më herët Drita e pret në shtëpi Besën që është e fundit në tabelë me shtatë pikë. Drita që pësoi humbje nga Prishtina e Trepça ’89 në dy ndeshjet e mëparshme shihet favorite në këtë ndeshje.

Kjo xhiro do të mbyllet të hënën, me dy duele që startojnë prej orës 13:00. Drenica e pret në shtëpi skuadrën e Gjilanit derisa dueli ndërmjet Arbërisë dhe Feronikelit do të luhet në stadiumin me bar sintetik në Ferizaj, në të cilin ekipi nga Dobraja po i zhvillon ndeshjet si vendas në pranverë.

E shtunë

Trepça ’89 – Prishtina (13:00)

(Arbitra: G. Shala, F. Berisha, H. Osmani, V. Ibërdemaj)

E diel

Drita – Besa (13:00)

(Arbitra: B. Kasumi, G. Hyseni, B. Kabashi, A. Halilaj)

Llapi – Ballkani (13:30)

(Arbitra: Sh. Murtezi, F. Jashari, M. Berisha, B. Jahmurataj)

E hënë

Drenica – Gjilani (13:00)
(Arbitra: V. Kastrati, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, B. Ajeti)

Arbëria – Feronikeli (13:00)
(Arbitra: T. Maloku, F. Abrashi, G. Mehmeti, M. Ajeti)

1. Ballkani               45 pikë

2. Drita                    44

3. Prishtina              41

4. Gjilani                  31

5. Trepça ’89           28

6. Arbëria                25

7. Feronikeli            24

8. Llapi                    23

9. Drenica               23

10. Besa                   7

Shpërndaje në: