Në Kosovë do të shtohen vrasjet, viktimat e tragjeditë
Javën e kaluar një tjetër grua u vra në Kosovë nga ish burri i saj. Vrasja e grave nga burrat është bërë një dukuri mjaft e shpeshtë. Dikush i kishte llogaritur të gjitha vrasjet e këtij lloji në vitet e fundit në vend, dhe numri ishte mjaft shqetësues: njëqind-e-një. Ajo që ndjell interes nuk është ‘vrasja e grave’ por intenziteti i shtuar në ‘vrasjen e grave’. Dhe shpjegimi nuk mund të jetë i sojit: ne jemi prapanikë dhe kaq.
Nga bashkëbisedimet e pakta që bëra këto ditë, dhe sidomos nga reagimet në Facebook, vërejta një tendencë që shqyrtimi mbi problemin të ngushtohej e kësisoj pavetëdijshëm edhe të relativizohej. Faji i adresohej kulturës sonë patriarkale, ose edhe më konkretisht, burrave shqiptarë që e kanë në potencë vrasjen e grave.
Natyrisht që burrat shqiptarë kanë faj. Ashtu siç ka faj edhe kultura patriarkale. Por problemi ekziston përtej këtyre dy adresave. Së pari duhet thënë se vetë gratë e një shoqërie tradicionale e patriarkale përmes rolit social që e performojnë, i kultivojnë dhe mirëmbajnë praktikat patriarkale. Nuk do shumë mend për të kuptuar se gratë tradicionale, më shumë se burrat, e fetishizojnë rehatinë familjare. Dhe po ato, njësoj si burrat, ose edhe më shumë se burrat, llomotisin paragjykime mbi gra të tjera, mbi burra të tjerë, dhe mbi gjithë shoqërinë. Llomotitje që mund të duken të parëndësishme, por që në fakt e ndikojnë mënyrën se si jetojnë njerëzit. Një pjesë e madhe e njerëzve që njoh lëvizen nga vargonjtë e thashethemeve, nga vargonjtë e moralit të njerëzve më analfabetë të shoqërisë. Thashethemnaja mbahet nga perspektiva evolucionare si element kryesor që e formësoi para miliona vitesh kafshën sociale që e quajmë njeri. Dhe rëndësia e saj në një vend mosvet të vogël si Kosova është shumë e madhe se në një vend më të madh. Është e domosdoshme që për të kuptuar shtimin e intenzitetit të kriminalitetit në fjalë të mbajmë në konsideratë veçoritë kulturore dhe poashtu zhvillimet emancipuese që ndodhën.
Sidoqoftë, për të shmangur keqkuptimet duhet thënë diçka bazike: çështja shtrihet përtej ndarjes së vrazhdë binare: burra-gra.
Vrasja e grave nga burrat ndodh edhe në shoqëri larg më të zhvilluara e të emancipuara. Madje, edhe intenziteti i vrasjeve është shtuar përgjatë viteve të fundit si në Kosovë. Në Angli dhe Uells, sipas një artikulli të The Guardian janë vrarë 900 gra nga burrat në gjashtë vitet e fundit.
Por, t’i kthehemi Kosovës. Unë besoj që kjo dukuri, ose shpeshtimi i ndodhjes/shfaqjes së saj është shenjues i emancipimit gjinor të bërë gjatë kësaj dekade. Të mbajmë në mend që asnjë përparim nuk ndodh pa shkaktuar dëme anësore. Feminizmi antiesencialist mësyn zhdukjen e patriarkalitetit, grave e burrave tradicionalë, edhe pse një përparim kaq i madh vleror do të shkaktonte paevitueshëm pasoja të rënda në jetën e shumë individëve. Shekulli XIX shquhet për një letërsi të jashtëzakonshme, dhe pikërisht gjatë këtij shekulli ndodhën zhvillimet më përmbajtësore vlerore. Letërsia u bë mbi tragjicitetin që prodhonte ndryshimi i paevitueshëm i vlerave. Po, ndodhi një përparim i hatashëm, por në anën tjetër kjo u shoqërua me tragjedi të vogla, të përditshme, individuale.
Një pjesë e madhe e feministeve në Kosovë nuk e kuptojnë se ndryshimi i vlerave brenda një shoqërie kërkon shpirt të përgatitur. Kërkon gatishmëri për t’u përballur me një prind të dhunshëm që lirinë tënde e përjeton si përmbysje të botës së tij. Kërkon gatishmëri për t’u përballur edhe me gjithë ata njerëz dashamirës e korruptues vlerorë.
Gruaja për shumë kohë është mbajtur si pronë/mall. Ose e këmbyeshme [virgjëresha], ose veç e konsumueshme [gruaja, nëna], ose të dyjat [prostituta] – siç thotë Luce Irigaray. Burrat që po vrasin gratë, nuk po e bëjnë një gjë të tillë në mënyrë të ftohtë e të përllogaritur. Ata po heqin dorë nga prona e tyre, duke e rrezikuar/dëmtuar poashtu edhe jetën e tyre. Vrasjet tregojnë më shumë akte të dëshpëruara nga mos-arritja e konstituimit të pushtetit të mëparshëm mbi to. Vrasjet tregojnë gjithashtu rezistencën e grave – dhe rasti i fundit në Gjakovë, në të cilin gruaja ishte ndarë nga burri dhe nuk pranonte t’i bashkohej e ilustron mirë këtë çështje – dhe rritjen e vetëdijes mbi të drejtat e tyre.
Në mënyrë që numri i viktimave të jetë sa më i vogël, nga cilado gjini, duhet që mekanizmat e shtetit të funksionojnë si duhet. Gruaja i përket shtetit, dhe jo burrit. Por sidoqoftë, kjo ecje e pashmangshme tepërpara do të prodhojë viktima e tragjedi të shumta familjare. Dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Asnjë ndryshim nuk ndodh në rrethana ideale, dhe i papërcjellur nga këto tragjedi!