Në Klubin e Leximit në Gjilan diskutohet për “Prillin e thyer”

Në Klubin e Leximit në Gjilan diskutohet për “Prillin e thyer”

Biblioteka “Fan Noli” në Gjilan, përveç librave dhe hapësirës për lexim, tash e dy muaj libradashësve po iu ofron edhe një klub leximi.

Ky klub erdhi si bashkëpunim mes grupit “Maniakë t’leximit” dhe lexuesve nga Gjilani.

Takimi i dytë tashmë është caktuar më datën 16 mars, gjatë të cilit do të diskutohet rreth librit “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë, me fillim nga ora 16:oo në Bibliotekën e qytetit.

Plarentinë Zenjullahu, njëra nga organizatoret e këtij klubi, thotë për Periskopin se përmes këtij aktiviteti synojnë ta kultivojnë shprehinë për lexim.

“Qëllimi i klubit është të inkurajojë leximin. Anëtarët e klubit mblidhen një herë në muaj dhe diskutojnë një libër të caktuar paraprakisht duke shprehur mendimet e tyre, idetë, pëlqimet, mospëlqimet rreth librit”, ka thënë Zejnullahu.

Këtë aktivitet e kanë mirëpritur lexuesit gjilanas, kjo edhe për faktin se në këtë bibliotekë nuk kishte ndonjë aktivitet të ngjashëm për të rritur.

“Lexuesit e kanë pritur jashtëzakonisht mirë dhe janë shprehur mjaft entuziast për të marrë pjesë në takime. Ne jemi shumë të lumtur që interesimi është mjaft i madh”, shton Zejnullahu.

Këtë klub leximi, Zejnullahu thotë se e ka përkrahur Biblioteka e Gjilanit si dhe libraria ABC, që ka ndarë libra dhuratë për pjesëmarrësit.

Por ‘maniakët e leximit’ thonë se nuk do të ndalen me kaq. Ata për Periskopin kanë njoftuar se ditët në vazhdim do t’i bëjnë të ditur emrat e qyteteve të tjera ku pritet ta zgjerojnë klubin e leximit./PERISKOPI/

Shpërndaje në: