“Në kabinet ka 2-3 veteranë të UÇK-së, a janë të sigurt që nuk arrestohen nëse vijnë”, kjo është përgjigjja e Mickoskit
Pas nënshkrimit të tri marrëveshjeve mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, dy kryeministrit, Albin Kurti dhe Hristijan Mickoski kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët.
I pyetur nëse listat janë aktive për veteranët e UÇK-së, pasi është diskutuar edhe në të kaluarën dhe nëse një gjë e tillë mund t’ju ndodhë edhe 2-3 veteranëve që janë pjesë e kabinetit, Mickoski tha se ata që s’kanë shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mund ta vizitojnë e të shëtisin për të shijuar bukuritë e vendit të tyre.
“Në kabinet ka 2-3 veteranë të UÇK-së, a janë të sigurt që nuk arrestohen nëse vijnë atje”, ishte pyetje drejtuar kryeministrit maqedonas.
Madje ai edhe i ftoi të gjithë pasi siç tha ai “janë shtet mikpritës”.
“Askush që nuk i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën në Republikën e Maqedonisë lirisht mund të vijë të shëtisë në Shkup, në Maqedoni dhe të qëndrojë sa të dëshirojë. Të gjithë ata i ftoj të vijnë, ne jemi, paravarësisht dallimeve tona fetare dhe kombëtare, jemi shoqëri multifetare e kombëtare, dhe si njerëz jemi shtet mikpritës. I ftoj të gjithë të kënaqen me bukuritë e vendit tim”, tha Mickoski në konferencën e përbashkët.