Në ditën që Bislimi takohet me Petkoviq, BE miraton draft-konkluzione: Kosovës do t’i kërkohet Asociacioni
Pikërisht në ditën kur kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq pritet që të takohen në Bruksel, Bashkimi Evropian raportohet se do të miratoj një draft me konkluzione ku do t’u bëhet thirrje Kosovës e Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjen e dala nga dialogu.
Derisa BE tashmë ka një udhëheqje të re, “DW”raporton se në dokumentin e ri, thuhet që rrugëtimi i dy vendeve drejt integrimit evropian, varet nga këto detyrime.
Po ashtu, mediumi që raporton se ka parë dokumentin, shkruan që do të përmendet edhe situate në veri pas sulmit gjatë muajit që lamë pas në kanalin e ujit në Ibër Lepenc.
“Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për deeskalim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të evitojnë retorikën përçarëse.” – thuhet në draftin e BE-së.
Po ashtu, mes tjerash shkruan: “këshilli e përsërit, se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi për zbatimin e saj, të miratuara në shkurt dhe mars të vitit 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejtë që të jetë e mundur pa parakushte, sikurse të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja”.
Kosovës, raportohet që në mënyrë të veçantë i kërkohet që të nis punën për miratimin e draft-statutit evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke nisur me përcjelljen e draft-statutit, të cilin palëve ua ka paraqitur ndërmjetësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja.” – thuhet në draft dokument.
Bislimi e Petkoviq takohen më 17 dhjetor
Pikërisht në këtë datë, do të takohen kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq. Të dy palët, tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së martës.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper para pak ditësh ka bërë me dije se në takim do të shqyrtohen disa çështje, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.
Më 18 dhjetor, samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në
Presidenti i Këshillit Evropian, Atonio Costa ka konfirmuar se samiti i shteteve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian do të mbahet më 18 dhjetor.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare, bëhet me dije se samiti nis nga ora 17:30.
“Sesioni i pasdites do t’i dedikohet implementimit të Planit të Rritjes dhe përpjekjeve drejt integrimit rajonal, si dhe mundësive për të avancuar më tutje integrimin gradual mes BE-së dhe rajonit, derisa darka e punës do të fokusohet në sfidat e përbsbashkta gjeopolitike.” – thuhet aty.
Në fund, Costa ka thënë:
“Besoj që konteksti aktual gjeopolitik, thërret pë një momentum të ri për t’iu dhënë punës së BE-së me vendet e rajonit”.