Në British School of Kosova u mbajt ‘Ora e Shkrimtarit’ me poeten Xhevaire Izmaku
Të martën, më 5 nëntor 2024, në British School of Kosova u mbajt Ora e Shkrimtarit me poeten Xhevahire Izmaku, në kuadër të aktiviteteve të cilat po i organizon PEN Qendra e Kosovës në institucione të ndryshme të Kosovës, projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Qëllimi i këtyre takimeve është bashkëbisedimi i shkrimtarëve me lexuesit, veçanërisht me nxënësit dhe studentët, në mënyrë që të njihen me përvojën e shkrimit letrar, por edhe me rëndësinë që ka leximi dhe edukimi kreativ.
Në praninë e nxënësve dhe mësimdhënëse të British School of Kosova si dhe të pjesëmarësve të tjerë, takimin letrar me poeten Xhevahire Izmaku, e moderoi poeti dhe studiuesi i letërsisë, Sali Bashota, i cili paraqiti krijimtarinë letrare e deritanishme letrare të Xhevahire Izmakut.
Në fjalën e saj, Xhevahire Izmaku, evokoi kujtime nga fillimet krijuese të saj si nxënëse e shkollës fillore dhe shkollës së mesme në Vushtrri, pastaj si studente e letërsisë shqipe në Prishtinë. Me këtë rast, poetja Izmaku ofroi mjaft shembuj nga përvoja e saj krijuese, ndërlidhur me shkrimin letrar, veçanërisht me poezinë që ishte dhe mbeti udhërrëfimi më interesant në jetë, por edhe për vepra të shkrimtarëve të njohur botërorë, të cilat i kishte lexuar me pasion të veçantë, qysh në moshë të re, duke thënë se lidhje e saj shpirtërore me letërsisë nuk ishte e rastësishme, por ishte një ndër qëllimet jetësore.
Kujtimet e saj, sidomos për librin “Lot i zemrës”, i cili ishte botuar në rrethanat e mbijetesës së fjalës shqipe, ishte mjaft mbresëlënëse për të pranishmit.
Pjesë e Orës së Shkrimtarit ishte edhe leximi i poezive të zgjedhura nga autorja, por edhe nga studentët e Kolegjit AAB.
Në fund të takimit u zhvillua një bashkëbisedim me poeten Xhevahire Izmaku. Kishte mjaft pyetje, sidomos nga nxënësit, lidhur me krijimtarinë e saj letrare, por edhe edhe pyetje të tjera për letërsinë e gruas dikur dhe sot, si dhe për trendet bashkëkohore të zhvillimit të letërsisë shqipe.
Xhevahire Izmaku ka mbaruar studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës ku ka fituar gradën shkencore Doktor i Shkencat e Komunikimit. Gjithashtu, ka punuar si profesoreshë dhe ka vazhduar me veprimtarinë e saj si aktiviste për të drejtat e njeriut brenda KMLDNJ, ndërsa me fillimin e luftës në Kosovë, në vitet 1998 -1999, mori pjesë aktive në ndihmën e popullatës së rrezikuar nga masakrat serbe, duke qenë në shërbim të luftëtarëve të lirisë. Ishte raportuese për agjenci të lajmeve të ndryshme shqiptare dhe ndërkombëtare, si reportere e luftës.
Më pas në vitet 1999 – 2002 ka punuar gazetare-reportere në RTV 21.
Xhevahire Izmaku ka një përvojë të pasur politike, duke qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në tri mandate gjatë viteve 2010- 2019, por edhe pjesë e institucioneve vendore nivel lokal dhe qendror.
Si deputete ka qenë kryetare e komisioneve për hartimin e ligjeve kryesore që kanë të bëjnë me mediet në Kosovë, të cilat janë ende në fuqi.
Njihet si poete dhe bartëse e manifestimeve kulturore në organizime me karakter kombëtar, siç janë Takimet e Poeteshave në Vushtrri. Ka botuar librat me poezi “Lot i zemrës”, “Dremitja e shpirtit”, “Farajona”.
Xhevahire Izmaku është profesoreshë në lëndët e komunikimit dhe gazetarisë në Kolegjin Universitar AAB, në Prishtinë.