Në Botëror ishte titullar, në skuadër nuk e ka të sigurt as qëndrimin

Periskopi.com Sporti

Pesë vite më parë, ai ishte portieri i parë Kombëtares së Anglisë në Kupën e Botës dhe, mbi të gjitha, fitoi titullin e tij të dytë në Premier League, me fanellën e Manchester Cityt. Tani, Joe Hart është i “përjashtuar” nga Burnley dhe madje rrezikon të përfundojë në Championship (rangu i dytë në futbollin anglez).

Ai mbush 31 vjeç në prill. Jo shumë për një portier, i cili në atë moshë është shpesh në kulmin e karrierës së tij. E pabesueshme me të vërtetë, ajo që po ndodh me Joe Hart. Anglezi është përfshirë në një spirale negative të karrierës, nga e cila nuk duket i aftë të ngrihet përsëri.

Tani është i trishtuar te Burnley, ku ka humbur vendin e titullarit, për shkak se Sean Dyche preferon Tom Heaton. Dhe, siç raportohet nga “The Sun”, ai ka të ngjarë të përfundojë në Championship. E vetmja ofertë që i ka mbërritur është ajo e Preston.

Një makth i vërtetë për Joe Hart ishte trajneri Pep Guardiola dhe ai është fillimi i kësaj të tatëpjete. Lamtumira e portierit nga Manchester City përkoi me ardhjen e trajnerit katalanas në “Etihad”. Ndoshta zgjedhja e Pep për të marrë Claudio Bravo nga Barcelona u interpretua nga portieri anglez si një mungesë besimi ndaj tij.

Guardiola, disa muaj më parë, tha se “lojtari që më preokupoi më shumë emocionalisht për ta larguar ishte Joe Hart”. Por, duke pasur parasysh vazhdimin e karrierës së portierit të datëlindjes së vitit 1987, ka shumë të ngjarë që humbja më e madhe të ishte për vetë anglezin, jo trajnerin. Prej këtij momenti, në fakt filloi një “rënie e lirë” e Hart, që duket e pandalshme.

Eksperienca te Torino, ku portieri i dyfishoi statistikat, por në kahun negativ, nuk qe e duhura. Përkundër 30 golave të pësuar te Manchester City, ai e dërgoi në 62 këtë kuotë në Serie A. Shifër e mjaftueshme për “granata”, që ta kthenin në shtëpi. Portieri pranoi më pas ofertën e West Ham, por edhe në Londër nuk ishte se i shkoi mirë.

Pas fazës së parë aty, erdhi ulja në bankë, çka në fund i kushtoi edhe përjashtimin nga lista e Southgate për Kupën e Botës në Rusi. Një situatë që e ka dërguar atë në prag të depresionit, siç është shkruar nga “Daily Mail”. Kalimi te Burnley dukej se e rilindi atë profesionalisht. Por, edhe aty vazhdoi rënia e nisur, për të prekur ndoshta fundin.

Pika më e ulët dhe kritike e karrierës së një futbollisti, që para pesë viteve mbronte portën e Kombëtares së Anglisë, ishte kampion i Premier League, ndërsa sot, në moshën 31-vjeçare, duket i dorëzuar…,  i vjetër!

Shpërndaje në: