Kapen 4 sera të mbjella me bimë narkotike në bjeshkën e Deçanit

Kapen 4 sera të mbjella me bimë narkotike në bjeshkën e Deçanit

Policia e Kosovë gjatë një operacioni, në bjeshkën e Roshkodollit të Deçanit ka gjetur katër sera në të cilat ishin mbjellë bimë të narkotike të llojit marihuanë, por që dyshohet se janë djegur.

Në njoftim thuhet se, Policia e Kosovës në vazhdën e angazhimeve të shtuara, gjatë implementimit të një plani operativ përmes pajisjeve teknologjike, në bjeshkën e Roshkodolit – Komuna e Deçanit në një zonë të thellë malore, kanë lokalizuar një vend ku dyshohej se po kultivoheshin bimë narkotike.

“Me datë 29.07.2024 njësitet e specializuara kufitare së bashku edhe me njësinë e antidrogës, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar, ku në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 sera, në të cilat kishin qenë të mbjellura bimë të dyshuara narkotike të llojit marihuanë, të cilat dyshohet se ishin djegur nga persona të dyshuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thotë se në bazë të shikimit të vendit të ngjarjes dyshohet se kanë qenë të mbjellura rreth 300 bimë narkotike të madhësisë nga/deri në 1-2m gjatësi.

“Lidhur me rastin njësitë përkatëse në vendin e ngjarjes kanë marrë provat materiale , mostra të bimëve narkotike,  një rmë AK – 47 me 32 copë fishekë dhe një fishek i kalibrit për armë të gjuetisë etj”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Provat materiale të bimëve narkotike që kanë mbetur të pa djegura, pas konsultimit me prokurorin përkatës janë asgjësuar në vendin e ngjarjes, ndërsa pas konsultimit me prokurorin kompetent është hapur rasti për veprat “Kultivim i bimëve narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve dhe municioneve”.

Në lidhje me rastin meqenëse zona ndodhet afër kufirit, është komunikuar edhe Policia Kufitare e Republikës se Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi, të cilat kanë aktivizuar njësitet e tyre në zonat përkatëse të shteteve të tyre.

Shpërndaje në: