Në 18 vjetorin e çlirimit të vendit, do të shënojmë Çlirimin e Republikës

Në 18 vjetorin e çlirimit të vendit, do të shënojmë Çlirimin e Republikës

Zgjedhjet e parakohshme të 11 Qershorit, e gjetën Kosovën në gjendjen më të mjerueshme në dekadat e fundit. Jemi dëshmitarë të dështimeve të njëpasnjëshme që sollën qeveritë e pasluftës në Kosovë.

Në një situatë të tillë, ku gjithçka është politike dhe asgjë nuk është e ligjshme, ku e e paligjshmja është e ligjshme dhe e ligjshmja është politike- nuk kishte si të bëhej ndryshe. Rënia e kësaj qeverie dhe rruga drejt zgjedhjeve të parakohshme ishte nevojë e hershme e mirëqenies sonë, që erdhi atëherë ku s’kishte ku të shkonte më.

Kjo qeveri ka kaluar caqet e dështimeve, ku jeta e qytetarit u bë pjesë e lojës politike e cila e humbi edhe arsyen e saj. Tashmë disponimi i popullit po i hap dyert së ardhmes, dhe po i mbyll dyert këtij dëshpërimi dhe dështimi që e ka kapluar çdo qytetar të Kosovës.

Nuk ka më vend për mashtrime dhe premtime të thata, nuk ka më vend për manipulime dhe fjalë të tepërta, tanimë zgjidhja është e qartë; qytetari i Kosovës po i thotë JO nënshtrimit dhe gënjeshtrës duke zgjedhur ata që nuk nënshtrohen dhe nuk gënjejnë…Lëvizja Vetëvendosje është shpëtimi i vetëm që na mban gjallë shpresën e rrënjosur për vite të tëra në zemrat tona.

Ajo erdhi në këto zgjedhje si një uragan; me një listë të njerëzve të zgjedhur të mbledhur bashkë në alternativën e saj, me programin më të qartë zhvillimor të vendit në 40 Prioritetet e Republikës, secili i shpjeguar në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëndrime të qarta, me vizion dhe potencial të paparë më herët, Vetëvendosja dëshmoi edhe një herë se ajo është fryma e popullit dhe e drejta e tyre për jetë të dinjitetshme.

Më e rëndësishmja, ajo erdhi me kandidatin më adekuat që mund të kishte Kosova ndonjëherë. I guximshëm, vizionar, i kompletuar në aspektin intelektual, me njohuri universale, Albin Kurti është zëri më revolucionar në Kosovën e pasluftës.

Qëndresa e tij kundrejt padrejtësive dhe keqpërdorimeve, krimit dhe korrupsionit, është aq e fuqishme sa ta çlirojë vendin jo më nga okupatori serb, por nga vetë pushtetarët tanë. Asnjëherë s’ka qenë më e lehtë zgjedhja e votës për qytetarin, asnjëherë s’ka qenë më e qartë se tanimë kupa është mbushur dhe fundi i këtyre dështimeve të njëpasnjëshme është i pashmangshëm.

Tanimë çdo gjë është e qartë, rrugët tona me ata që ishin dhe na sollën në këtë pikë, nuk kanë asgjë të përbashkët.

Krimit i ka ardhur fundi, dëshpërimit i ka ardhur fundi, korrupsionit i ka ardhur fundi, zëri i popullit do ta fundosë edhe fundin e tyre. Prandaj, në tetëmbëdhjetëvjetorin e Çlirimit të vendit( 12 Qershor 1999), do të shënojmë Çlirimin e Republikës nga dështimi, korrupsioni, degradimi dhe fundosja. Do të festojmë bashkë Rilindjen tonë, ndërtimin e historisë nga e para, ndriçimin e jetës sonë në shtetin tonë të lirë.

(Opinion i sponsorizuar. Autori është kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje)

 

Shpërndaje në: