Ndriçim Ademaj rrëfen pa heronj e pa bujë

Ndriçim Ademaj rrëfen pa heronj e pa bujë

Në ambientin e ngrohtë të Ditë e Nat’, shkrimtari Ndriçim Ademaj prezantoi librin e tij të parë në prozë.

I rrethuar nga njerëz që i kishin ikur fushatës zgjedhore dhe kishin zgjedhur që muzgun e së enjtes ta kalojnë nën rreshtat e romanit “Pa heronj e pa bujë”, Ndriçimi me kapelën e tij të vënë sipër flokëve të gjata; lexoi pjesë nga ky roman.

Përfaqësuesja e shtëpisë botuese ‘Pegi’, Aida Baro, njëherazi redaktore e këtij romani, tha se debutimi i Ndriçimit në prozë është pikënisje e një të ardhme shumë premtuese për autorin. Ndërkaq, Adil Olluri, studiues i letërsisë e çmoi lart veprimtarinë letrare të shkrimtarit duke thënë se ai është një prej shkrimtarëve më të mirë shqiptarë që kanë shkruar ndonjëherë letërsi, shkruan Gazeta Metro

Më tutje, Olluri tha se Ademaj nuk i ka ikur as në prozë cilësisë së poetit pasi atë e gjen akoma ndër rreshta të këtij libri. Ndërsa vetë shkrimtari, Ndriçim Ademaj, tha se ky libër është simbol i fëmijërisë së gjeneratave që kanë lindur pas viteve 1985 dhe e kanë përjetuar luftën në Kosove. Ai tha se për të ka qenë e vështirë në fillim të shkruajë për përjetimet e një fëmiu gjatë luftës në Kosove, duke qenë se ka qenë larg vatrës së luftës.

Por, sipas tij, në procesin e të shkruarit ai e ka parë që kjo nuk ishte veç fëmijëria e tij, por e shumë fëmijëve të tjerë të lindur pas viteve ’85. Romani “Pa heronj, pa bujë’ është një histori që përshkon dy kohë, dy vende, dy përjetime të ndryshme në dukje të huaja për njëra-tjetrën. “Heroi ynë lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta – gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë.

Mes dy anëve të medaljes, ai ndihet i përhumbur rrugëve të Zvicrës në kërkim të një identiteti, që nuk mund të hiqet e të vishet si një gunë e errët dimri, por që të qëndron pranë, në anë, në brinjë, si një kone e vogël e ledhatuese, e me raste, shndërrohet në një bishë të pakontrollueshme.

E atëherë, mbetet vetëm t’i kthesh gjoksin bishës, ta dëgjosh të hungërijë e të të tregojë dhëmbët, të ndiesh erën e tërbimit të saj e të vëresh dëshpërimin që i flakëron në sy.” shkruan në kopertinën e këtij libri. Përndryshe, ky është libri i katërt me radhë i shkrimtarit Ademaj por i pari në prozë.

Shpërndaje në: