Ndodh edhe kjo: Ura e Badovcit u lëshua në qarkullim pa u testuar
Lëshimi për qarkullim i Urës së Badovcit rezulton të jetë realizuar pa testim paraprak.
Siç raporton Kallxo.com, ndonëse automjetet tashmë po qarkullojnë në urë, mbetet e paqartë nëse struktura e saj është e qëndrueshme dhe e sigurt për përdorim.
Kompania përgjegjëse për ndërtimin e urës ka pranuar se nuk ka kryer ende testimet, duke përmendur festat e fundvitit si arsye për hapjen e saj të parakohshme.
Adnan Lushtaku, një përfaqësues i kompanisë, deklaroi për Kallxo: “Unë e bëj testimin e urës, nuk është kryer. Kemi dashtë me e lëshu për qarkullim për shkak të festave dhe në një afat tjetër bahet testimi i urës.”
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dhënë një përgjigje të çuditshme për mediumin, duke thënë se testimi ka qenë vetëm formal pasi sipas tij “ura është stabile”.
“Dëgjo, duheni me e pyet menaxheren e kontratës, por ura testohet gjatë gjithë fazës se ndërtimit, do të thotë merren atestet paraprake sepse është material. Sasia e armaturës që vendoset aty, çfarë marke e betonit vendoset aty. Merren mostrat edhe dihet se a është ajo markë e beton a jo, a është ajo klasë e armaturës a jo, nëse gjatë këtyre fazave është vendos armatura, është vendos betoni sipas projektit, natyrisht që ura është stabile. Ai testimi është vetëm formal” tha ai.