“Ndeshja e vitit” çon në këmbë Napolin, radhë pa fund për biletën e duelit ndaj Milanit
Napoli po marshon i qetë drejt titullit kampion në Serinë A por tashmë në qytetin jugor të Italisë është ndezur edhe më shumë entuziazmi për një tjetër turne, Ligën e Kampioneve. Napolitanët ëndërrojnë që të kapin gjysmëfinalen e ndoshta më shumë pasi shorti i ka vënë përballë Milanit në çerekfinale.
Kjo ka bërë që të nisë gara e ethshme për një biletë për sfidën e kthimit që Napoli luan në shtëpi në këtë turne, më datë 18 prill. Shitja e biletave niste në orën 15:00 por kishte tifozë të cilët kishin zënë radhën prej rreth 6 orësh që të ishin në “vijën e parë” për të siguruar biletën e asaj sfidë ne “Diego Armando Maradona”.
Edhe rritja e çmimit të biletave për ata që nuk kanë abonim, nuk ka mbajtur larg tifozët, shumë prej të cilëve kanë mbërritur që në orën 10 të mëngjesit para pikës së shitjes, pasi e vlerësojnë këtë si “ndeshja e vitit”. Mundësia për të shkuar në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve për ta, ku mund të jetë si rival Interi, ka ndezur atmosferën në qytet dhe tani shumëkush mendon se ky është viti ku të kaltrit mund të shkojnë aty ku nuk ia dolën as në epokën e artë të Maradonës.