Ndërron jetë akademik Tahir Emra

Ndërron jetë akademik Tahir Emra

Akademik Tahir Emra ka ndërruar jetë të hënën, më 07. 10.2024, në moshën 86 vjeçare.

Lajmin mortor e ka dhënë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra”- thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen të artit më 1959 në Pejë.

Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pikturë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative. Magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar.  Nga viti 2000 u zgjodh anëtar korrespodent në ASHKU, kurse i rregullt nga 2008-ta.

Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private.

Në vitin 2013 ASHAK botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza.

Mbledhja komemorative për nder të Emrës do të mbahet të martën më 8 tetor në ASHAK në orën 11:00 dhe më pas, deri në orën 12:30 bëhen homazhe.

Kurse, nga ora 15:00 deri në orën 16:00, do të bëhen homazhe, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 8 tetor 2024, në varrezat e qytetit të Gjakovës.

Shpërndaje në: