Nderi i Vjosa Osmanit
Nëse do t’i kërkonim në ndonjë makinë të avancuar fjalët më të përdorura prej nesh në llafe publike e private, nuk besoj që do të kishte fjalë tjetër shumërrokëshe që do t’i bënte konkurrencë “korrupsionit”. Por, edhe pse përdorimi i fjalës është aq masiv, kuptimet e saj mbetën tepër të ngushta.
Duket sikur kjo ngushtësi ruhet me aq fanatizëm nga politika, sa mësyn të evitojë çfarëdo shqyrtimi të rregullsisë së përdorimit të fjalës, shtratit ku shtrihen kuptimet e nënkuptimet e saj, dhe veçoritë e caktuara kulturore e sociale.
Korrupsioni si fjalë merr kësisoj një farë vetë-kuptueshmërie. Por, kjo vetë-kuptueshmëri nuk ka ndonjë lidhje me ngurtësimet e kuptimeve qysh në etimologji, apo me ndjelljen e natyrshme të imazheve të ngjashme në shoqëri. Është një vetë-kuptueshmëri e shtyrë përpara nga të gjitha partitë politike të deritashme, dhe nga gati të gjithë analistët e opinionistët.
Prapa varfërisë kuptimore është e qartë se ka një ekonomi specifike fjalësh të mundësuar nga narrativat dominuese që kërkojnë mobilizim e ngushtësi, dhe që kanë armiqësi me çdo konfuzitet e kompleksitet. Albin Kurti është shpallur populist nga të gjithë rivalët e tij politikë. Në fakt, edhe ata vetë janë populistë nëse ndjekim vëmendshëm fjalimet që mbajnë. Dallimi i vetëm është se Kurti është populist më i zoti.
Nuk mjaftonte që thjesht të thuhej se Hashim Thaçi ishte i korruptuar. Duhej mbyllur të gjitha kuptimet që nuk e lidhnin korrupsionin me personin e tij. Pra, duhej formuar disi nënkuptimin se ai ishte vetë shkaku i korrupsionit në politikë. Ndryshe, rrënohej qëllimi dhe e gjithë struktura e akuzës. Ndryshe, larg qoftë, rrezikonte të ekspozohej vetë sistemi.
Prandaj, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani i fituan këto zgjedhje. Jo përmes ideve, por përmes perceptimit të personaliteteve të tyre. Sepse gara u shndërrua në garë mes personalitetesh, dhe fare natyrshëm, kjo përçudnoi edhe vetë Kurtin e Osmanin.
Kjo narrativë natyrisht se shtrihet mbi mashtrim. Korrupsioni nuk është thjesht i lidhur me ndershmërinë apo pandershmërinë e personave të caktuar. Nëse do të ishte kështu, atëherë s’do të kishte kurrfarë nevoje për gjithë ato mekanizma në vendet më demokratike që e parandalojnë dhe luftojnë korrupsionin. Nuk do të kishte nevojë për aq shumë rregulla. Do të mjaftonte thjesht një personalitet i ndershëm, që gjërat të vendoseshin në vend. Por, çështjet edhe në elementaren e tyre janë më komplekse se kaq. Koncepti antropologjik mbizotërues që legjitimon këto mekanizma e rregulla të përdorimit të pushtetit është i ndryshëm nga koncepti antropologjik religjioz mbizotërues në vendin tonë.
*
Në një paraqitje në BBC, presidentja u pyet se ku dallonte ajo nga politikanët [garda] e vjetër të Kosovës. Përgjigja, ashtu siç mund të pritej, ishte shumë shumë e ngushtë. Ajo tha se dallonte në “shumë forma” por arriti t’i përmendte vetëm dy: ajo ishte kundër korrupsionit dhe ajo e mbante fjalën [ishte konsistente].
Ta përsërisim: Vjosa Osmani tha që dallon prej politikanëve tjerë sepse ishte kundër korrupsionit dhe sepse mbante fjalën. Një shikues matanë këtij konteksti që mban duhmë të rëndë religjioze mund të pyes logjikisht: cili politikan thotë se është pro korrupsionit dhe thotë se nuk e mban fjalën?
Vjosa ishte e kurthuar brenda këtij konteksti që operon me koncepte religjioze. Ajo kërkonte besim te shikuesi ndërkombëtar. Besim se fjala e saj ishte e vërtetë ndërsa fjala e pushtetarëve të deritashëm nuk ishte.
Unë nuk shoh problem të thuash në BBC, apo në çfarëdo mediumi ndërkombëtar, se Kosova është e zhytur në korrupsion. Kjo është e vërtetë! Problemi qëndron thjesht një shprehjen e një konstatimi të tillë dhe në përsëritjen e pafundme të tij. Kjo tregon padenjësinë që ka politikani për pozitën që mban. Ai duhet të shtrojë më tej argumentet, të flas për shkakësinë, dhe të shtrojë idetë mbi zgjidhjen e problemit. Të flas për politika ekonomike. Të tregojë se këto mekanizma që luftojnë korrupsionin, nuk do të kufizojnë mundësitë e zhvillimit.
Ajo që tha Osmani javën e kaluar është praktikisht fjalia banale si vijon: ne jemi të njëjtë ideologjikisht, por unë jam e ndershme dhe ata nuk ishin të ndershëm.
Por, përmes ndershmërisë së saj, ajo së fundi po provon të bëhet presidente e vendit derisa në të njëjtën kohë po provon të themelojë një parti politike që aktualisht në fazën embrionale ekziston me vetë emrin e saj [Lista Vjosa]. Kjo është brutalisht kundër frymës kushtetuese, madje edhe më shumë se sa ashtu siç e speficikon kushtetuta që një kryetar partie s’ka të drejtë të jetë president.
*
Deri tash, korrupsionit i është dhënë një mbiemër. Korrupsioni në Kosovë është ‘endemik’. Por, ani që ka një shqyrtim të thellësisë së këtij korrupsioni, nuk ka një shqyrtim të specifikave të tij që e dallojnë prej korrupsionit në vende tjera.
Ajo që mund të kuptojmë nga intervista e djeshme e Osmanit, është se në udhëheqje do të kemi një tjetër politikan të papërgatitur për t’i dalë kundër kësaj dukurie negative. Një politikane që as nuk e kupton e as nuk ka interes ta kuptojë atë.
Korrupsioni ekziston edhe në shtetet më demokratike liberale të botës. Dhe do të ekzistojë. Çështja më bazike është të mos shkelen të drejtat dhe liritë individuale derisa kjo luftë ndodh. Dhe njëkohshëm, të mos pengohet zhvillimi. Çështje tjetër bazike është që kjo luftë të ndodh, dhe të jetë qartësisht serioze.
Për dallim nga Osmani që duket qartë se nuk arrin të rezonojë përtej një viktime të sistemit arsimor për çështjen, Kurti disa herë rresht ka përmendur korrupsionin në shoqëri – gjë që tregon një vetëdije pak më të ngritur. Por, kaq pak s’mjafton që të dilet matanë fantazmave religjioze.
Nuk është aspak e ndershme të jesh thjesht i ndershëm në politikë. Duhet të jesh edhe i shkathtë. Ndryshe, e merr në qafë një komb të tërë.