Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë, Ahmeti: Çdo ndërhyrje mund të sjellë fërkime apo hidhërime
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar ndërhyrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në zgjedhjet e fundit në Maqedoni të Veriut.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Ahmeti ka thënë se në proceset zgjedhore nuk është mirë të ndërhyhet as nga Kosova dhe as nga Shqipëria.
I pari i BDI-së ka thënë se qytetarët e këtyre vendeve i dinë më mirë problemet e tyre.
“Nuk është mirë të bëhet ndërhyrje, as nga Shqipëria, as nga Kosova, po as ne nga Republika e Maqedonisë së Veriut të ndërhyjmë në procese, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Rrethanat i njohin më së miri ata që jetojnë dhe organizohen politikisht, si në Shqipëri, ashtu edhe Kosovë. Ata e dinë se si duhen zgjidhur problemet. Populli që jeton andej e di më së miri se kush mund t’i përfaqësojë më së miri qytetarët, shqiptarët e Kosovës, dhe shqiptarët e Shqipërisë, gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka bërë me dije se çdo ndërhyrje mund të sjell pasoja dhe fërkime.
“Çdo ndërhyrje e mundshme mund të sjellë, fërkime, mospajtime apo hidhërime ndaj politikanëve, qofshin në Shqipëri apo Kosovë. Ja një shembull: Artan Grubi është zëvendësuar me Ivan Stoilkoviqin, i cili është ministër për Sistem Politik dhe Përgjegjës për Komunitetet, pra është përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë Ahmeti.