Ndarjet më të bujshme të vitit 2019
Paraja dhe fama jo gjithnjë fshihen prapa një buzëqeshjeje reale e një jete stabile, siç edhe jemi mësuar të shohim në ditët e sotme.
Rrjetet sociale, po ashtu, si një nga platformat më të frekuentuara, nuk pasqyrojnë jetën reale e aq më pak kur është fjala te personazhet publike, megjithëse bëjnë që çdo gjë të duket në mënyrë perfekte.
Edhe ky vit që po e lëmë pas është karakterizuar me lidhje dhe ndarje, derisa nuk kanë munguar rastet kur historia e tyre është përfolur e stërpërfolur me ditë të tëra në faqet rozë.
Në sirtarin e shumë sukseseve dhe luksit të pafund, jeta personale është ajo që mban fansat më kuriozë për secilin artist/e.
Sivjet në shoubizin shqiptar janë vetëm dy çifte të njohura që bënë bujë me ndarjen e tyre, për dallim nga ato botërore që ishin të shumta në numër.
Telegrafi në artikullin e mëposhtëm ua rikujton disa histori të hidhura ndarjesh gjatë këtij viti:
Robert Berisha dhe Nora Istrefi
Nora Istrefi dhe Robert Berisha (Foto: Google)
Gushti i këtij viti nuk ishte edhe aq i mirë për këngëtarët Robert Berisha dhe Nora Istrefi. Kjo ngase pikërisht në këtë muaj, dyshja konfirmuan ndarjen e tyre, pavarësisht se ishin komentuar në media edhe më herët. Ka qenë vet Roberti ai i cili njoftoi për ndarjen përmes një postimi të ndarë me ndjekësit në rrjetin social, Instagram.
“Portale të nderuara dhe ju fansa! Ju kam premtuar që do e kuptoni prej meje dhe se nuk keni nevojë të lodheni duke klikuar në në çdo titull që e bëjnë portalet.
Është punë e tyre dhe mjeshtri e gazetarëve që din me nxjerrë asi tituj. Unë edhe Nora nuk jemi më bashkë, por gjithë jetën do jemi babi dhe mami i Renees loqkës tonë.. dhe shokë të mirë deri në vdekje… Nëse nuk ka më dashuri mes një çifti, nuk dmth me bë armik e me ja kthy shpinën. Bëhuni pozitiv e qeshni sa më shumë edhe respektojeni edhe atë që nuk ju dëshiron të mirën. Përmes këtij postimi, Nora Istrefin e falënderoj shumë që ma ka sjell në jetë nje fëmijë si Renee…edhe shumë kujtime të bukra prej 2006..Noriq -Tkom borxh tan jetën. Të uroj të gjitha të mirat” (sic), kishte shkruar Roberti në postimin e tij.
Edhe pse të ndarë, Nora dhe Roberti vazhdojnë të jenë pranë njëri-tjetrit dhe lidhja më e fuqishme e tyre është vajza – Renee.
Mozzik dhe Loredana Zefi
Mozzik dhe Loredana Zefi (Foto: Google)
Një tjetër ndarje që bëri jehonë të madhe në shoubizin shqiptar ishte ajo mes reperit nga Ferizaj, Mozzik dhe partneres së tij, Loredana Zefit. Të njëjtit bënë të ditur distancimin e tyre më 11 tetor, teksa ishte vet Lori ajo e cila bëri një shkrim të gjatë në rrjetet sociale, duke deklaruar se tanimë është nënë beqare.
“Të gjithë fansat e mi, siç ju e dini dhe keni dëgjuar, unë nuk po shfaqem së bashku me Mozzikun. Arsyeja pse mund ta paramendoni shumica, unë dhe Mozzik kemi vendosur së bashku që lidhja jonë të kalojë në pauzë ,si nga ana private edhe ajo biznesore. Kjo për mua do të thotë shumë për ndryshimet në lidhje me familjen edhe biznesin, por edhe pas këtyre gjërave unë nuk do ta ndal punën, veç se do të punoj më shumë, pas vendimeve ne jeten private unë dhe Mozzik kemi vendosur që “Ich die Bonnie and Clyde”, ta kaloj vet si turne. Neve na duhet kjo ndarje që ndoshta në të ardhmen e afërt prap ta gjejmë vetën. Nga tash do ta sjellë bukën vet në shtëpi dhe për këtë arsye do të punoj ende më shumë dhe do t’i jap gaz punës, mund t’ju premtoj që gjatë turneut që do ta kem, do të jap mskimumin tim. Nga tash jam një nënë që rrit fëmijën e vetme, gjë që më bën ende më të fortë, jam e sigurt që ju nuk keni nevojë t’ia ndërroni fëmijës pelenat para se të dilni në skenë, e vetmja gjë që më duhet është vajza ime Hana dhe ju fansat. Ju falënderoj shumë për përkrahjen në turneun ‘King Lori 2010’” (sic), pati shkruar Loredana Zefi në Instagram.
Dyshja po ashtu kanë një vajzë së bashku të quajtur Hana dhe ajo është personi i vetëm që i mban më afër ish-partnerët.
Ndarjet në showbizin ndërkombëtar
Gigi Hadid dhe Zayn Malik
Zayn Malik dhe Gigi Hadid (Foto: Wire Image)
Në fillim të muajit janar, u përfol se modelja Gigi Hadid dhe ish-ylli i “One Direction”, Zayn Malik, i dhanë fund – të paktën përkohësisht – lidhjes.
“Janë në faza të ndryshme të jetës për momentin dhe kanë vendosur se do rrinë për një kohë larg njëri-tjetrit”, tha një burim për E! News.
Adriana Lima dhe Metin Hara
Adriana Lima dhe Metin Hara (Foto: Getty Images/Guliver)
Në janar, modelja e Victoria’s Secret, Adriana Lima dhe shkrimtari i njohur turk, Metin Hara, i dhanë fund lidhjes së tyre 18-mujore.
Ata nuk zbuluan arsye më të hollësishme rreth ndarjes, por që tashmë duket se po shoqërohen me partnerë të tjerë.
Brie Larson dhe Alex Greenwald
Brie Larson dhe Alex Greenwald (Foto: Getty Images/Guliver)
Sipas People, në janar, Brie Larson dhe i fejuari i saj, Alex Greenwald, i dhanë fund fejesës së tyre trevjeçare.
“Janë tërhequr nga fejesa tani për tani, por po i qëndrojnë pranë njëri-tjetrit”, ka deklaruar një burim për revistën.
Khloe Kardashian dhe Tristan Thompson
Khloe Kardashian dhe Tristan Thompson (Foto: Getty Images/Guliver)
Kjo u konsiderua si një nga ngjarjet më dramatike të vitit. Superylli Khloe Kardashian dhe i dashuri i saj, Tristan Thompson, u ndanë pasi u zbulua se ai e tradhtoi me shoqen e ngushtë të Kylie Jenner, Jordyn Woods.
Lady Gaga dhe Christian Carino
Christian Carino dhe Lady Gaga (Foto: Getty Images/Guliver)
Më 19 shkurt të këtij viti u raportua se Lady Gaga prishi fejesën me agjentin e saj, Christian Carino. “Thjesht nuk funksionoi. Ndonjëherë lidhjet marrin fund. Nuk ka ndonjë histori dramatike që po e mbajmë të fshehtë”, ka thënë përfaqësuesi i saj për People Magazine.
Adele dhe Simon Konecki
Simon Konecki dhe Adele (Foto: Getty Images/Guliver)
Në prill, po ashtu, u konfirmua se këngëtarja Adele është ndarë vërtet nga bashkëshorti i saj, Simon Konecki. “Adele dhe partneri i saj janë ndarë. Do t’i përkushtohen rritjes së djalit së bashku. Si gjithmonë, kërkojnë privatësi. Nuk do të ketë komente të mëtejshme”, shkruhet në deklaratën e dhënë për Associated Press.
Ata ishin bashkë për më shumë se shtatë vjet dhe kanë një djalë të quajtur Angelo.
Irina Shayk dhe Bradley Cooper
Irina Shayk dhe Bradley Cooper (Foto: Getty Images/Guliver)
Modelja ruse, Irina Shayk dhe partneri i saj, aktori Bradley Cooper, u ndanë në muajin qershor. Thashetheme për një ftohje mes tyre qarkullonin që në ceremoninë e Oscars, por dyshja tentoi sërish për hir të vajzës.
Tentativat, qartazi shihet se nuk patën sukses dhe ata u ndanë përfundimisht.
Dua Lipa dhe Isaac Carew
Dua Lipa dhe Isaac Carew (Foto: Getty Images/Guliver)
Këtë vit, këngëtarja shqiptare, Dua Lipa, i dha fund marrëdhënies së saj me modelin dhe kuzhinierin Isaac Carew, vetëm 18 muaj pasi ishin ribashkuar.
Dua filloi të shoqërohej me modelin 33-vjeçar në vitin 2013 dhe pas një lidhjeje plot tri vite e gjysmë ata u ndanë, për t’u rikthyer përsëri. Ata u rikthyen bashkë duke menduar se dashuria ishte edhe më fuqishme për çiftin, por mesa duket largësia e ka rindarë dyshen simpatike.
Një burim pranë çiftit tha: “Dua dhe Isaac kanë luftuar me të vërtetë për njëri-tjetrin që kur janë së bashku. Ata donin t’i bënin gjërat të funksiononin… Ka qenë një vendim i vështirë, por në fund ata nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë gjërat të punojnë”.
Miley Cyrus dhe Liam Hemsworth
Miley Cyrus dhe Liam Hemsworth (Foto: Getty Images/Guliver)
Ndarja më e komentuar e vitit 2019 ishte ajo në mes yllit botëror, Miley Cyrus dhe bashkëshortit të saj, aktorit Liam Hemsworth. Të njëjtit ishin së bashku për dhjetë vite, teksa u divorcuan para pak muajve.
Pas ndarjes nga aktori australian, Cyrus ishte parë nën shoqërinë e blogeres Kaitlynn Carter, e më pas në krahët e muzikantit Cody Simpson, madje me këtë të fundit po e shijon akoma lidhjen.