Ndarja e Maqedonisë Veriore në rajone, profesorët: Ideja mund të jetë fisnike por edhe e rrezikshme

Ndarja e Maqedonisë Veriore në rajone, profesorët: Ideja mund të jetë fisnike por edhe e rrezikshme

Bazimi tek modeli i Belgjikës dhe i Irlandës së Veriut për rregullimin e Maqedoninë e Veriut, që po analizohet nga ekspertët ndërkombëtar të angazhuar nga BDI, për njohësit e çështjeve politike, sa është i nevojshëm po aq edhe i rrezikshme.

Profesori Universitar Murat Aliu, për TV21 shprehet se këto lloj ndarjesh në Belgjikë dhe Irlandë janë nga shekulli i kaluar dhe tani nuk përkojnë me kohën. Ato modele nuk do t’i kishin zgjidhur problemet shqiptaro-maqedonase, shton ai, por do të acaronin marrëdhëniet tyre

“Ideja në parim mund të jetë fisnike dhe e drejtë për të mbrojtur legjitimitetin e votës shqiptare, nuk ka asnjë diskutim. Por mendimi im është që kjo gjë mbase mund të arrihet edhe me mënyra dhe metoda tjera pa pasur nevojë të shkaktojmë konflikte, incidente. Por unë nuk jam i sigurt që ia vlen të hyjmë në këtë rrezik dhe në këtë acarim dhe në këto instilacione kur Europa përballet me një luftë në prag, në Ukrainë, të merret një iniciativë të tillë”, tha Murat Aliu, profesor universitar shkruan Tv 21

Modele të këtilla sipas profesorit Aliu sjellin edhe rrezikun që shqiptarët të izoloheshin edhe më shumë. Ai mendon se BDI e hap tani këtë temë për të shkaktuar debat, që më pas të gjendet një zgjidhje më pak e dhimbshme. Aliu mendon se zgjidhja më e mirë sipas do të ishte që me ligj të rregullohet mënyra e formimit të qeverisë, gjegjësisht e njëjta të bëhet sipas parimit “fituesi me fituesin”.

Për profesorin universitar Mersel Bilalli, ky modul është i nevojshëm sepse Maqedonia është shtet multietnik me segmente kushtetuese dhe institucionale dhe me fraksione të dobëta. Shprehet se partitë politike shqiptare nuk kanë qenë të angazhuara mjaftueshëm në ekonomi dhe kjo tani pasqyrohet në funksionimin e shtetit.

“Dhe tani janë në opozitë dhe kanë të drejtë legjitime ta shtrojnë këtë si aspekt të vizionit se si duhet të sanohet komplet funksionalizmi i sistemit por duhet një ekip më i gjerë i ekspertëve të lëmive të ndryshme. Nuk është e lehtë të formulohet, aq më shumë kur kemi një Kushtetutë e cila po të ulen pesë ekspertë që marrin vesh shumë nga kushtetuta, do të shohin hendikepe shumë të mëdha të brendshme të saj dhe kontradiksione të mëdha”, deklaroi Mersel Bilalli, profesor Universitar.

Përndryshe modeli i rregullimit shtetëror sipas modelit të Belgjikës parasheh ndarje në 3 rajone, dy më të mëdhatë ndahen sipas gjuhëve, ndërsa rajoni i tretë është kryeqyteti Brukseli. Irlanda ka dy njësi pjesërisht vetëqeverisëse, atë të Jugut dhe të Veriut. Ajo e veriut ka 6 qarqe, që nuk përdoren më për qëllime të qeverisjes vendore, sepse në vitin 2015 u krijuan njëmbëdhjetë distrikte të Irlandës Veriore.

Shpërndaje në: