Ndalohet importi i kafshëve të gjalla, dele-dhia nga Rumania e Greqia
Agjencia e ushqimit dhe Veterinarisë njofton se ka nxjerrë sot vendimin për ndalimin e importit për kafshë të gjalla të llojit dele, dhi nga shtetet e prekura me sëmundje, Rumania dhe Greqia.
Kjo u bë duke u bazuar në situatën epidemiologjike të raportuar nga organizata WOAH (Organizata Botërorë për Shëndetin e Kafshëve ) dhe ADIS ( Sistemi i lajmërimit të sëmundjeve të kafshëve në BE), për shpërthimin e sëmundjes Mortaja e ruminantëve të vegjël (Dele, Dhi).
“Nga zonat e caktuara të këtyre shteteve si regjione të prekura me ketë sëmundje ndalohet importi edhe i kafshëve të llojit gjedhë. Kjo për të penguar ose moslejuar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Kurse nga zonat e lira, kafshët e llojit gjedhë lejohet importi në territorin e Republikës se Kosovës”, thuhet në kumtesën për media të AUV-së.
Tutje bëhet e ditur se masat parandaluese për të penguar përhapjen e sëmundjes janë të vendosura nga autoritetet kompetente të këtyre dy shteteve.
“Ata nuk lëshojnë dokumente apo certifikata mbi gjendjen shëndetësore për kafshët e fermave nga zonat e prekura. Ne si autoritet vendimin e kemi nxjerrë duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare të tregtimit të kafshëve të gjalla mes vendeve. Kjo si masë shtesë për të forcuar kontrollin në pikat kufitare për parandalimin e hyrjes se kafshëve të infektuara. Gjithmonë duke respektuar rregullat nacionale të legjislacionit në fuqi. Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive udhëzohen të ngrisin masat e biosigurisë në ferma. Për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të raportojnë tek veterinari”.
“Konsumatorët nuk kanë nevojë të shqetësohen, sëmundja është e karakterit ekonomik, ajo nuk përhapet tek njerëzit”, thuhet tutje në njoftim.