Ndalohen për 48 orë tre inspektorët e ATK-së të dyshuar për marrje ryshfeti
Prokuroria Themelore Gjakovë ka bërë të ditur se tre inspektorët e ATK-së të dyshuar për marrje ryshfeti janë ndalur për 48 orë.
Në njoftimin e kësaj prokurorie thuhet se ata kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë, të pandehurit A.Gj., D.N., dhe E.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se në cilësinë e Inspektorëve të ATK-së, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së”.
“Prokuroria Themelore Gjakovë, ka ndërmarr veprime hetimore, duke zbatuar edhe masat e veçanta hetimore, ndaj të njëjtëve. Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore Gjakovë, dhe me urdhëresë të Gjykatës Themelore Gjakovë, me dt.20.01.2025, është kryer bastisje në tri (3) lokacion të ndryshme. Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se ndaj të pandehurve A.Gj., D.N., dhe E.Q., brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet tutje në njoftim.