Ndalohen për 48 orë, referi dhe trajneri kosovar të dyshuar për kurdisjen e ndeshjeve të basketbollit

Ndalohen për 48 orë, referi dhe trajneri kosovar të dyshuar për kurdisjen e ndeshjeve të basketbollit

Krimet Ekonomike pas kontrollit në dy lokacione në Prishtinë dhe Prizren kanë arritur të arrestojnë referin dhe trajnerin e Super Ligës së Kosovës në Basketboll nën dyshimet për kurdisje të ndeshjeve.

Sipas njoftimit të policisë, sektori i Hetimeve Financiare i DHKEK, gjatë ditës së sotme ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren.

Sipas tyre, urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’.

“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli)”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material.

“Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit sipas policisë, janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit.

Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Shpërndaje në: