Ndaj krizës klimatike duhet të mobilizohemi si për Luftën e II Botërore

Avokuesit e Kursit të Ri të Gjelbër [Green New Deal] thonë që ka një urgjencë të madhe për t’u marrë me ndryshimet klimatike dhe theksojnë shkallën e fushës që na duhet për ta luftuar atë. Kanë të drejtë. Ata përdorin termin “Kursi i Ri” për të evokuar përgjigjjen që mori presidenti Franklin D. Roosevelt pas Depresionit të Madh. Një analogji edhe më e mirë për të mobilizuar vendin do të ishte përgjigjja ndaj Luftës së Dytë Botërore.
Kritikët pyesin, “A mund ta përballojmë?” dhe ankohen se proponentët e Kursit të Ri të Gjelbër e përzien luftën për ta ruajtur planetin me një agjendë më kontroverse për transformim social. Kritikët e kanë gabim.
Po, ne mund ta përballojmë atë, me politika të drejta fiskale dhe me vullnet kolektiv. Por më e rëndësishmja, ne duhet që ta përballojmë. Ndryshimi klimatik është Lufta jonë e Tretë Botërore. Jetët tona dhe civilizimi ynë ashtu siç e njohim janë në rrezik, ashtu siç ishin në Luftën e Dytë Botërore.
Kur ShBA-ja u sulmua gjatë luftës së dytë botërore, askush nuk pyeti “A mund ta përballojmë luftën?” Ishte çështje ekzistenciale. Nuk mund ta përballonim që të rrinim duarkryq, e të mos luftonim. E njëjta shkon edhe për ndryshimin klimatik. Këtu, ne tashmë po i përjetojmë në mënyrë direkte kostot e shpërfilljes së kësaj çështjeje – në vitet e fundit vendi i ka humbur gati 2 për qind të GDP-së në katastrofa që kishin të bënin me motin, që përfshin ushqimet, uraganet dhe zjarret e pyjeve. Kostot për shëndetin tonë nga sëmundjet që lidhen me klimën po fshihen, por edhe ato do të na kushtojnë dhjetëra miliarda dollarë – pa përmendur numrin e panumëruar të jetëve të humbura. Ne do të paguajmë për ndryshimet klimatike në një mënyrë ose tjetrën, kështu që ka kuptim të shpenzojmë tash në mënyrë që t’i reduktojmë emisionet e jo të presim që të paguajmë shumë më shumë pasoja më vonë – jo veç nga moti por po ashtu edhe nga rritja e nivelit të detit.
Lufta ndaj ndryshimeve klimatike do të ishte bile e mirë edhe për ekonominë – ashtu siç ishte lufta e dytë botërore e që e bëri Amerikën të lulëzonte, me rritjen më të madhe në historinë e saj. Kursi i Ri i Gjelbër do të rriste kërkesat, duke siguruar që çdo resurs i mundshëm të përdorej; dhe tranzicioni në ekonomi të gjelbër me shumë gjasë do të sillte një tjetër bum ekonomik. Përqendrimi i Trumpit në industritë e së kaluarës, si qymyri, po mbyt mundësitë për të shpenzuar në fuqitë solare dhe ato të erës. Shumë më shumë punë do të krijoheshin me energji të ripërtërishme se sa me qymyr.
Sfida më e madhe do të jetë të garantohen resurset për Kursin e Ri të Gjelbër. Pavarësisht titujve të lajmeve për ratën e ulët të papunësisë, Shtetet e Bashkuara kanë tepër shumë resurse të papërdorura e joeficiente. Racioja e punësimit të njerëzve të atyre që kanë arritur moshën e punës në ShBA vazhdon të jetë e vogël, bile më e vogël se në të kaluarën, më e vogël se në shumë vende tjera, dhe e vogël veçanërisht mes grave dhe minoriteteve. Me politika të mbështetjes për familjet dhe me më shumë kohë fleksibile në tregun tonë të punës, do t’i punësonim më shumë gra dhe më shumë qytetarë me mbi 65 vjet. Për shkak të trashëgimisë sonë të gjatë të diskriminimit, shumë prej resurseve humane nuk përdoren me efiçiencë siç do të duhej. Së bashku me një edukim më të mirë dhe me politika shëndetësore dhe me investime në infrastrukturë e teknologji, kapaciteti prodhues i ekonomisë do të rritej, duke ofruar disa prej resurseve që i duhen ekonomisë për të luftuar dhe për t’u adaptuar kundër ndryshimeve klimatike.
Ndërsa shumica e ekonomistëve pajtohen që ka ende vend për zgjerim të mëtejmë ekonomik, madje edhe në kohë të shkurtër – ka ende kundërshti mbi atë se sa do të rritej prodhimi pa rënë në pengesa kohëshkurtra. Sidoqoftë, duhet të ketë një rirreshtim të resurseve që të luftohet kjo luftë ashtu siç ndodhi me luftën e Dytë Botërore, kur vendosja e grave në forcën punëtore e zgjeroi kapacitetin prodhues.
Përpjekjet mobilizuese gjatë luftës së dytë botërore e transformuan shoqërinë tonë. Kaluam nga një ekonomi agrikulturore dhe nga një shoqëri tepër rurale në një ekonomi manufakturore dhe në një shoqëri tepër urbane.
Nuk ka absolutisht asnjë arsye pse ekonomia inovative e gjelbër e shekullit 21 të ndjekë modelet ekonomike e sociale të shekullit 20, ekonominë manufakturuese , ashtu siç nuk kishte asnjë arsye që ajo ekonomi të ndiqte modelet ekonomike dhe sociale të ekonomive agrare e rurale të shekujve të kaluar. /Periskopi, përktheu dhe përshtati nga The Guardian