Napoli i Rrahmanit nuk ‘lëshon këmbë’ – Mposht Milanin e merr vendin e parë në Serie A
Napoli ka fituar derbin ndaj Milan.
Kryendeshja e javës në Serie A ka shkuar në favor të Napoli, që mposhti Milanin 2:1.
Dueli i dy skuadrave që po shihen si kryesoret në garën për titull i ka takuar napolitanëve, të cilët ishin më konkret në ‘San Siro’.
Napoli ishte skuadra e parë që shkoi në epërsi. Në minutën e 55’, Politano shënoi nga pika e bardhë e penalltisë – penallti të cilën e shkaktoi Sergino Dest.
‘Rossoneri’ reaguan përmes Olivier Giroud në minutën e 69’ për të gëzuar publikun vendas, por jo gjithçka shkoi mirë për vendasit.
Në minutën e 78’ skuadra e Napoli tha edhe një herë fjalën e saj. Kësaj radhe ishte Simeone ai që dërgoi topin në rrjetë. Goli i Simeone doli të ishte ai që vulosi rezultatin final.
Me fitoren e regjistruar sonte, Napoli shkon në 17 pikë dhe ndan pozitën e parë me Atalanta. Milan mbetet me 14 pikë në pozitën e pestë, me pikët baras me Lazio dhe me një pikë më pak sesa Udinese.