Nagavci – PDK-së: Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë

Nagavci – PDK-së: Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me anë të një postimi në Facebook shprehet se Statuti i ri i Universitetit të Prishtinës, i miratuar ditë më parë në Kuvend, “qenka dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK”.

Kjo, sipas saj, konfirmon edhe një herë që ndryshimet e mëdha e pozitive që janë bërë së fundi në universitet kanë prishur rehatinë e atyre që dikur kanë kontrolluar vendimmarrjen në UP.

Nagavci tutje shprehet se justifikimet e këtyre subjekteve si pretekst për mospjesëmarrje në votim të Statutit të UP-së janë mbulim i arsyes së vërtetë që lidhet me kriteret drejt cilësisë të vendosur në këtë Statut.

“Si Ministri e Arsimit dhe si Qeveri kemi përkrahur Universitetin drejt ndryshimeve përmbajtësore që janë bërë si në Statut së fundi, ashtu edhe në secilën çështje tjetër drejt vetrregullimit dhe avancimit të performancës”.

“Veprimi i PDK-së është natyrisht në vazhdën e luftimit dhe sabotimit të vullnetit qytetar dhe reformave shtetërore të ndërmarra në shumë sektorë. Po ashtu, dërgimi i Statutit cenon rëndë autonominë e Universitetit, sikurse është tentativë për rikthimin e UP-së hapa pas ku ishte”.

“Kriteret e standardet në Statut janë të vendosura nga vet Universiteti që ka kaluar nëpër një mori nivelesh nga Komisioni Profesional e gjithëpërfshirës deri te hallkat vendimarrëse në Universitet si Senati dhe Këshilli Drejtues”, shkroi Nagavci.

Ministrja e Arsimit për fund potencoi se Universiteti i Prishtinës do ta fitojë edhe këtë betejë dhe se ngadalë por sigurt do të kthehet aty ku e ka vendin, universitet me autonomi, akademi, integritet e kredibilitet.

Shpërndaje në: