Mustafa: Kjo është java e fundit – koha të vendosni për të ardhmen që dëshironi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ftuar qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për ndryshim. Gjatë një konference për media, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, theksoi se momenti për një drejtim të ri për Kosovën ka ardhur.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për “liderët që kanë një program real për të ardhmen e Kosovës” dhe të sigurohen që përmes votës ta mundësojnë ndryshimin.
“Kjo është java e fundit! Kjo është koha për ndryshim! Është koha për lidership që ka vizion për Kosovën. Është koha për liderët që kanë një program real për të ardhmen e Kosovës. Dhe kjo është koha që ju, qytetarët e Kosovës, të flisni dhe të thoni me zë të lartë dhe qartë: koha për ndryshim është tani. Bëhuni ndryshimi!”
Mustafa u kërkoi përkrahësve të bindin të paktën një person tjetër për të vendosur të ardhmen që dëshirojnë.
“Varet nga ju që të dilni dhe të votoni për ndryshim. Varet nga ju që të siguroheni që familja juaj të votojë për ndryshim. Miqtë tuaj po votojnë për ndryshim. Secili prej jush duhet të marrë të paktën një person më shumë me vete në qendrën e votimit sepse kjo mundësi për ndryshimin e madh nuk kthehet më! Kjo është koha që të gjithë ju të vendosni se çfarë lloj të ardhmeje dëshironi. Një të ardhme të ndritur apo një të ardhme si kjo qeverisje e VV-së. Krejt varet nga ju. Votoni LDK-në. Votoni Lumirin.”