Mustafa i PDK-së: S’ka lulëzim të ekonomisë, po propagandojnë ministrat e kësaj Qeverie
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka treguar se pse ka ndodhur rritja ekonomike prej 5.62% në tremujorin e parë të këtij viti, me të cilën po krenohet Qeveria e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se kjo rritje nuk ka ndodhur për shkak të ndonjë përshpejtimi të aktivitetit ekonomik në vend.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se rritja e pretenduar e qeverisë del për shkak të rritjes se taksave.
“Norma e rritjes ekonomike prej 5.62% në tremujorin e parë 2024 (TM1 2024) del se ka rezultuar kryesisht nga rritja e taksave të mbledhura nga qeveria dhe jo nga ndonjë përshpejtim i aktivitetit ekonomik në vend. Nëse i shikojmë sektorët e ekonomisë një-për-një, nuk mund ta gjejmë as edhe një sektor të rëndësishëm që e ka përshpejtuar ritmin e rritjes në krahasim me TM1 2023, por përkundrazi vërehet ngadalësim i rritjes pothuajse në të gjithë sektorët”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se pretendimet e qeverisë për lulëzim të ekonomisë janë propagandë.
“Bruto Vlera e Shtuar, e cilat paraqet vlerën e mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në Kosovë, ka shënuar rritje reale prej vetëm 1.27%, në krahasim me rritjen prej 4.74% në TM1 2023. Në anën tjetër, rritja është e koncentruar në Taksat Neto në Produkte, të cilat kanë shënuar rritje reale prej 23.31% dhe kanë ndikuar në fryerjen e normës së rritjes së BPV-së. Pra, nuk ka lulëzim të ekonomisë, siç po propagandojnë ministrat e kësaj qeverie, por ka rritje të taksave të mbledhura nga qeveria, të cilat statistikisht përfshihen në përllogaritjen e BPV-së”, ka shkruar Mustafa.