Musk për shkarkimet: S’pata zgjidhje tjetër, Twitter po humbiste 4 milionë dollarë në ditë

Musk për shkarkimet: S’pata zgjidhje tjetër, Twitter po humbiste 4 milionë dollarë në ditë

Pronari i ri i Twitter, Elon Musk, ka mbrojtur vendimin për shkarkimin e rreth gjysmës së fuqisë punëtore të kompanisë, duke thënë se ai nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi Twitter po humbte më shumë se 4 milionë dollarë në ditë.

Musk këmbënguli se angazhimi i platformës për moderim mbeti “absolutisht i pandryshuar”.

“Lidhur me reduktimin e fuqisë punëtore të Twitter, për fat të keq nuk ka zgjidhje kur kompania po humbet mbi 4 milionë dollarë në ditë. Të gjithëve që u larguan iu ofruan tre muaj pagesë pas largimit nga puna, që është 50% më shumë sesa kërkohet me ligj”, ka shkruar Musk në Twitter.

Vetëm pak minuta përpara postimeve të Musk, kreu i sigurisë dhe integritetit në Twitter, Yoel Roth konfirmoi se pushimet nga puna kishin prekur 50% të kompanisë, duke përfshirë afërsisht 15% të departamentit të besimit dhe sigurisë.

Musk e ripostoi këtë, duke e përshkruar atë si një “përmbledhje të shkëlqyer”.

 

Shpërndaje në: