Musk në kabinetin e Trump, presidenti: Kush nuk e do Elon, le të dalë jashtë!

Anëtarë të kabinetit të Donald Trump janë mbledhur për herë të parë të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, në prani edhe të këshilltarit miliarder të presidentit, Elon Musk.
Mes zyrtarëve spikat prania e sekretarit të Shtetit, Marco Rubio; atij të Mbrojtjes, Pete Hegseth; sekretares për sigurinë e Brendshme, Kristi Noem dhe prokurorja e përgjithshme Pam Bondi. Në fjalën e tij, Trump ka mbrojtur praninë e Musk.
“A është ndokush i pakënaqur nga prania e Elon? Nëse jeni do t’ju nxjerrim jashtë që këtej”, ka thënë Trump, i cili është duartrokitur. Ndërkohë, një grup ligjvënësish amerikanë janë mbledhur gjithashtu për të hetuar shkurtimet e ndihmave të bëra nga i ashtuquajturi Departamenti për Efiçencën Qeveritare, të drejtuar nga Musk, raporton euronews.
Ata e kanë konsideruar pjesëmarrjen e tij në grupimin e kabinetit si të paprecedent.