Mushkolaj: Militantët e VV-së fyejnë dhe linçojnë këdo që kritikon Kurtin, me t’u dhimtë
Opinionisti i njohur Imer Mushkolaj ka komentuar reagimet e militantëve të Lëvzijes Vetëvendosje, pasi këta të fundit ofenduan e linçuan deputetin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e Listës Guxo, Burim Karameta që dje i ka dalë kundër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me shtesat prej 60 eurove për stafin mjekësor.
Karameta doli sot me një sqarim duke thënë se mori komente fyese pasi e ka kritikuar Vitinë, ndërsa thotë se kryeministri Albin Kurti është kryeministri më i mirë që ka pas Kosova.
Lidhur me këtë, Mushkolaj thotë se militantët fyejnë dhe linçojnë këdo që e kritikon Kurtin, pasi e konsiderojnë si të pagabueshëm.
“Ata që kritikojnë Albin Kurtin ose ndonjë ministër të tij fyhen e linçohen nga një pjesë e militantëve, të cilët Kurtin e konsiderojnë të pagabueshëm. I tillë për ta mbetet edhe tash, në situatën skandaloze me pandeminë. I tillë do të mbetet deri sa ata më shumë besojnë çfarë thotë Kurti, se çfarë bën ose nuk bën ai. Me t’u dhimtë”, shkroi Mushkolaj.