Muriqi mes Lazios dhe Mallorcas, ku do të shkojë sulmuesi kosovar?
Në muajin janar, Vedat Muriqi u transferua nëpërmjet formulës së huazimit në radhët e Mallorcas në La Liga. Megjithatë, pavarësisht se sezoni ishte në gjysmë, sulmuesi ia doli të kthehej në një lider të spanjollëve dhe shënoi katër gola në 15 paraqitje ndërsa numëroi edhe tre asiste për shokët e skuadrës.
Në këtë formë, Muriqi ishte një nga kontributorët kryesorë që Mallorca qëndroi në elitën spanjolle ndërsa tashmë drejtuesit e spanjollëve kërkojnë ta bëjnë të tyrin përfundimisht lojtarin e Kosovës. Megjithatë, në një intervistë të fundit, CEO i Mallorcas, Alfonso Diaz shpjegoi se klubi ka limite spanjolle dhe nuk mund të kënaqë interesat e Lazio që kërkon 12 milionë euro.
“Po punojmë për Muriqin, por ka një diferencë të madhe mes asaj që mund të ofrojmë ne dhe asaj që kërkon Lazio. Ne i njohim burimet tona financiare, i dimë limitet dhe nuk mund t’i kalojmë ato”, u shpreh Diaz.
Mallorca ka bërë një ofertë prej tetë milionë eurosh, ndërsa Lazio këmbëngul për 12, megjithatë pas kësaj deklarate nga klubi spanjoll, situata është më e qartë dhe italianët duhet të bëjnë lëshime pasi përndryshe, Muriqi do të rikthehet sërish në organikën e tyre.