Muriqi: Jemi në formë të mirë, duhet t’i zbatojmë taktikat e trajnerit të ri
Sulmuesi shtatlartë i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për ndeshjet e radhës dhe për përzgjedhësin e ri Alain Giresse.
Kosova fillimisht do të luajë ndaj Burkina Fasos, pastaj ndaj Zvicrës, që do të jenë edhe ndeshjet e para të Giresse.
Muriqi që po luan në La Liga te Mallorca këtë stinor, ka thënë që lojtarët janë në formë të mirë dhe kjo duhet të shfrytëzohet.
“Jemi duke vazhduar me punën tonë dhe do të japim maksimumin si gjithmonë. Edhe pse nuk e njohim Burkina Fason, pak a shumë kemi filluar ta njohim dhe t’i shohim pikat e tyre të dobëta dhe me forcën tonë besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”.“Shpresoj ta përdorim këtë periudhë të mirë. Kur kemi pasur serinë pozitive prej 13 ndeshjeve pa humbje kemi qenë sikur tash të gjithë në formë dhe shpresoj ta përdorim këtë moment të mirë dhe të arrijmë rezultate të mira”.“Trajneri i ri? Ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet të zbatojmë teknikën dhe taktikën e tij. I urojmë mirëseardhje atij dhe shpresojmë që të kemi rezultate të mira së bashku me të”, ka thënë Muriqi.
Dardanët nesër e zhvillojnë stërvitjen e fundit para ndeshjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 16:00.