“Muri” i CEFTA-s: A janë ftohur marrëdhëniet e Gjermanisë me Kurtin?
Para se të bëhej kryeministër i Kosovës, Albin Kurti dukej se kishte një dozë pëlqyeshmërie nga shteti më i fuqishëm në Europë. Por, në fund të mandatit si shef qeverie, sipas këndvështrimit të njohësve të politikës, gjërat nuk duken gjithaq si më parë. Qeveria e shtetit mik përmes deklaratave të emisarit për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sikur ka shpërfaqur një ftohje në raport me të.
Që nga fundi i gushtit, Sarrazin u duk shpesh në Kosovë nëpër takime zyrtare. Saherë që erdhi la pas mesazhe jo fort të pëlqyeshme për Kosovën– gjë që ngjalli dyshimet se mos janë ftohur ngapak marrëdhëniet me Gjermaninë. Mos më pak, marrëveshja e Gjermanisë me Serbinë për litiumin sikur e forcoi këtë retorikë.
Herën e parë që erdhi tha se “duhen kompromise jo të lehta mes Kosovës dhe Serbisë” e në të fundit tha se “s’mund të prisni vetëm nga Gjermania”, por “punën e saj diplomatike duhet ta bëjë vetë Kosova”. E, një ndër më të rëndat, ishte deklarata e dhënë ndërmjet të dyjave, kur emisari gjerman tha se “Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit”.
Kanë mbetur një javë deri te Samiti i Berlinit që do të mbahet më 14 tetor – tavolinë në të cilën do duhet të ulet kryeministri Kurti së bashku me prijësit e pesë vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
Gjermania kishte ‘kërcënuar’ Kosovën me mospjesëmarrje nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia. Sarrazin kishte thënë kjo ndalesë bllokon edhe punën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.
Pak pe u lëshua një javë para Samitit të Berlinit, pasiqë siç bëri të ditur Kurti, që nga 7 tetori u ndryshua masa e sigurisë për mallrat serbe në Merdare, nga “e kufizuar” në “kontroll të shtuar”. Ky ndryshim, sipas tij, do të vlejë “derisa të sigurohen skanerët e tekonologjisë së lartë” për kontrollin e mallrave në kufi.
“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.
Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.
Megjithatë Kurti tha se kanë pritje që edhe në takimin e CEFTA-s, e edhe në Samitin e Berlinit që do të mbahen gjatë këtyre ditëve, do të arrihen suksese si Kosovë.
Se a janë ftohur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë në prag të Samitit të Berlinit, dy ekspertë gjermanë të politikës shprehen bindjet e tyre për KALLXO.com. Të dy u pajtuan se ka një ftohje mes Kosovës dhe Gjermanisë, por jo të dy u pajtuan me sjelljen e Sarrazinit në Kosovë.
“Vështirë me Kurtin”
Johanna Deimel, eksperte e lartë për Ballkanin Perëndimor thotë se përjashtimi i Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit do të kishte pasoja gjeopolitike dhe mbi të gjitha negative ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit.
Deimel thotë se një gjë e tillë nuk mund të jetë në interes të Qeverisë së Kosovës.
“Oferta e Sarrazin për ta sjellë Kosovën në tryezën e CEFTA-s me fusnotë nuk e zgjidh çështjen legjitime të sovranitetit të vendit, por ofron një rrugëdalje të qëndrueshme nga ngërçi. Kështu shpjegohen apelet urgjente të Manuel Sarrazin drejtuar kryeministrit Albin Kurti, i cili gjithashtu braktis publikisht tonin ‘e mbuluar’ diplomatik”- tha Deimel për KALLXO.com.
CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës. Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.
Sarrazin, ka treguar përkushtim të madh personal ndaj Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal gjatë këtyre 10 viteve të Procesit të Berlinit që të arrihen rezultate që mundësojnë bashkëpunimin rajonal ndërkufitar në shumë fusha, vlerëson ekspertja.
“Kosova është me të vërtetë e rëndësishme për të (Sarrazinin), ashtu si edhe për qeverinë gjermane, dhe duhet të mbetet pjesë e procesit në mënyrë që, siç thotë me të drejtë Sarrazin, të mos izolohet. Bëhet fjalë për integrimin e Kosovës në kuptimin më të mirë të fjalës”- shtoi ajo.
Deimel thotë se nuk është vetëm Gjermania ajo që ka një marrëdhënie gjithnjë e më të vështirë me qeverinë e Albin Kurtit, duke shtuar se këtë e dëshmojnë sanksionet e BE-së kundër Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.
Ajo thotë se Gjermania është një nga shtetet që do të kishte qenë në favor të heqjes së masave të BE-së, ndërsa vendet e tjera anëtare të BE-së do të parashikonin vetëm një ndryshim gradual.
E, për një ekspert tjetër të Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, Sarrazini nuk duhet të mbivlerësohet aq shumë në Kosovë.
“Manuel Sarrazin dikur ishte përfaqësues i partisë së Gjelbër në Bundestag për një kohë të gjatë, por aktualisht nuk mban ndonjë pozicion kyç politik apo administrativ më të fortë”- tha ai për KALLXO.com.
Clewing tha se detyra e tij aktuale është të veprojë si një zë publik koordinues i politikave të Ministrisë së Jashtme Gjermane për Ballkanin Lindor.
“Profili i tij dhe pesha politike brenda politikave gjermane nuk duhet të mbivlerësohet, dhe ndoshta është më e ulët se për shembull ndikimi dhe pesha e Jens Plötner, i cili është këshilltari përkatës për politikën e jashtme të kancelarit Scholz”- tha ai.
Sipas tij, fatkeqësisht (për Kosovën), profili (dhe ekspertiza) i Sarrazinit në politikën e jashtme lidhet me Europën Lindore, veçanërisht me Rusinë, më tepër se me Europën Juglindore apo Ballkanin.
“Megjithëkëtë, vërejtjet e tij sigurisht që pasqyrojnë në mënyrë ideale qëndrimin e Ministrisë së Jashtme. Aktualisht, ata tregojnë dhe nënvizojnë shkallën e zhgënjimit “me qasjen e ashpër të qeverisë së Kosovës ndaj shumë veprimeve të qeverisë ndaj Serbisë dhe serbëve të Kosovës”- tha ai.
Clewing thotë se duke pasur parasysh situatën e tanishme gjeopolitike dhe cenueshmërinë e rajonit për shkak të luftës të Rusisë në Ukrainë, Gjermania përpiqet të promovojë të gjithë Ballkanin dhe të mos marrë anën e Kosovës apo ndonjë qeverie tjetër specifike në rajon.
Megjithatë, sipas tij, gabimet taktike të Albin Kurtit gjithashtu kontribuan në ndryshim, “gjë që është vërtet e dukshme”.
Në anën tjetër, Deimel thotë se sido që të jetë, nuk është shumë e dobishme nëse Kurti, pa i informuar më parë partnerët e tij ndërkombëtarë, vazhdon me veprime që përkeqësojnë tensionet në vetë Kosovën dhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë, siç ishte rasti me dinarin dhe ndalimin e importit të mallrave serbe për arsye sigurie- siç thotë Prishtina.
Ajo thotë se nuk e di deri në çfarë mase Kosova do të ishte e përgatitur për të hequr ndalimin e importit.
“Megjithatë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ia kaloi topin Berlinit disa ditë më parë: ajo shpjegoi se Gjermania kishte premtuar të furnizonte skanerë të teknologjisë së lartë për të kontrolluar kamionët nga Serbia. Prishtina ende i pret këto”- shtoi ajo.
Kryeministri Kurti më 7 tetor 2024 tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i sigurojnë Kosovës skanerë se sipas tij vetë i na kanë thënë se do të përpiqen t’ua sigurojnë.
“Në ndërkohë edhe vetë Dogana e Kosovës është duke blerë skanerë. Ne nuk po u themi vetëm ndërkombëtarëve na ndihmoni, por na ndihmoni se edhe ne vetë po shpenzojmë”- tha ai, duke shtuar se siguria e Kosovës është siguri edhe për ndërkombëtarët.
Zëdhënësi i Ambasadës gjermane në Kosovë, Christian Bottcher, javë më parë kishte thënë për KALLXO.com se kryeministri Kurti vizitoi zotin Sarrazin në Hamburg dhe i pa ata skanerë të teknologjisë së lartë në punë, megjithatë pala kosovare nuk ishte e gatshme ta pranonte këtë ofertë.
Se a janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Gjermania, Kurti thotë se ka qenë vetë në këtë shtet, përkatësisht në Portin e Hamburgut dhe ka parë se si funksionojnë skaneri statik dhe ai mobil.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë dhe asnjëherë [masa] tregtare … E gjithë Qeveria jemi marr me këtë punë. Nga unë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, këshilltari im Jeton Zulfaj kanë biseduar dhe negociuar me Bashkimin Europian, në veçanti me Gjermaninë”- tha ai.
Për këto arsye, Kurti beson që ndryshimi i masës do të mundësojë sukses të plotë në Proces të Berlinit dhe në CEFTA.
Pikënisja e “ftohjes”
Qëmoti ambasdori gjerman në Kosovë Jorn Rohde kishte këmbëngulur vazhdimisht që të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët për Manastirin e Deçanit – kriter ky që ishte vënë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës.
Edhe pse nisi zbatimi i këtij aktgjykimi me vendim të Qeverisë së Kosovës pak para se të mbahej Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Kosova nuk arriti të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave në muajin maj.
Për ekspertin Konrad Clewing, beson se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanise janë ftohur jo vetëm nga çështja e hektarëve të Manastirit të Deçanit, por nga qasja e vetëbesimit e qeverisë aktuale ndaj aspekteve të bashkëpunimit me aleatët e saj.
“Por e vërtetë, mënyra e trajtimit (dhe: shtyrja e vendimit) për vendimin e gjykatës për Manastirin e Deçanit është një aspekt tjetër i rëndësishëm i asaj ftohjeje”- tha Clewing për KALLXO.com.
Clewing thotë se nuk duhet t’i përmbahemi veçanërisht qeverisë gjermane për të kuptuar se mospranimi i një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga ana e qeverisë nuk është i dobishëm për të siguruar më shumë besim në qëndrimet e qeverisë së Kosovës – “pavarësisht nga fakti se qeveritë e mëparshme ishin përpjekur gjithashtu të injoronin Gjykatën për këtë çështje”
“Guxoj të them se mënyra e të vepruarit kaq me vonesë para vendimit të mundshëm për anëtarësimin në Këshillin e Europës, është sigurisht dëmtuese dhe ka lënë dyshime për menaxhimin profesional të politikës së jashtme në Prishtinë”- shtoi ai.
Në anën tjetër, për eksperten Deimel, ishte e pakuptueshme pse qeveria e Kosovës e zgjidhi vetëm pak para përfundimit kontestin për tokën me Deçanin për të marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në prill.
Deimel thotë se do të kishte qenë shumë e rëndësishme që Kosova të pranohej në Këshillin e Europës, por ishte gjithashtu e qartë se çështja e Manastirit të Deçanit nuk do të mjaftonte.
Për letrën e Ministres së Jashtme të Kosovës Donika Gervalla-Schwarz drejtuar Këshillit të Europës se do të dorëzohej një draft i veçantë – përsëri pak para votimit përfundimtar në Këshillin e Europës, Deimel e quan diplomatikisht të pazakontë.
Ndër të tjera, Deimel thotë se ajo letër thjesht si shprehje vullneti por nuk kishte ndonjë efekt pozitiv të dukshëm.
“Sigurisht që mund ta kuptoj zhgënjimin në Kosovë që edhe pse zyrtarisht i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Europës, vendi përballet me kërkesa shtesë. Nga ana tjetër, megjithatë, ka pakënaqësi në rritje në Berlin, Bruksel dhe Uashington për faktin se gjithmonë nevojitet presion i madh për të lëvizur fare Prishtinën”- shtoi ajo.
Sarrazin në një panel diskutimi të organizuar nga Ambasada Gjermane më 02.10.2024, tha vendimi për zbatimin e aktgjykimit për pronat e Manastirit të Deçanit ishte i vonë nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës në lidhje me këto deklarata të Sarrazinit tha se e vlerësojnë lartë bashkëpunimin me parterët tanë, sikurse është Gjermania në arritjen e objektivave.
Megjithatë, thanë se Kosova e ka përmbushur pjesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Europës.
“Në rastin e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Europës, ritheksojmë se Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, siç është evidentuar edhe nga raporti i raportueses Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”- tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për KALLXO.com.
“Pra Kosova e ka përmbushur pjesën saj”- tha ai.
Kryeziu tha se krejt në fund, në mënyrë jozyrtare, Kosovës i është vendos një kusht i ri, dorëzimi i statutit të përgatitut nga BE-ja për themelimin e Asociacionit – që nuk ka qenë pjesë kritereve të raportim përfundimtar dhe e rekomandimit të raportueses Bakoyannis dhe Asamblesë Parlamentare për anëtarësim.