Muri

Muri

Shkruan: Fatlum SADIKU

Muri nuk ishte risia e kësaj jave. As e fundvitit. As e 17 vjeçarit. Nuk janë risi as kotësitë bajate të kësaj qeverie mbi të. As ato Kuvendit Komunal injorant e inert mitrovicas. As injorimet që shoqëria civile fondzhvatëse u bën temave nacionale, për tu marrur më shumë me zgjedhjet në Drenas se sa me murin. Dhe as që përbën risi agjenda e papërvojë europiane me Kosovën përfaqësues të cilës në paraqitjet e tyre, i’a huqin çka është KEK-u e çka Trepça.

Duhet vetëm të dish ta lexosh historinë. Muri është aty si epitoma më katolike e ndarjes në dy botëra. Epitomë edhe katolike edhe nacionaliste. Diçka edhe më e trishtë se telat gjemborë të pasluftës së hershme për faktin se ndarja tashmë është edhe e betonuar.  E në këtë të fundit, pra në betonin jemi aq të dashuruar sa që u desh vetëm ajo pamje neveritëse e murit të na bëjë të mendojmë se në fakt në beton jemi veshur për këto 17 vite, edhe mendësisht edhe arkitektonikisht.

Mur në të cilin kontriboi edhe fati historik serbo-shqiptar kur u vendos të merret për model shteti-komb;  lufta e fundit; mendësia franceze kur vendosi vijën markuese në urë. Përfshirë këtu edhe mendësinë aporike europiane për t’ia dalur me situatën –  e që edhe në momentin kur po shkruaj këta rreshta, që të gjitha këto në një formë apo tjetrën janë më shumë kontribute europiane se sa ballkanike.

Kjo sepse edhe nacionalizmi edhe vendosja e murit edhe pasinqeriteti në atë që na kërkohet (sado fisnike të jetë kërkesa) – e nëse i hyjmë edhe arkitekturës edhe betoni – dalin me origjinë europiane.

Ka një gjë të pasinqertë në krejt përpjekjen europiane ndaj Kosovës: ftohemi ta zëvendësojmë nacionalizmin (të cilin e morëm nga vetë europianët), përmes pajtimit me pedagogjitë eksperimentale dhe funksionaliste të mendësisë më të re europiane të aplikuara për këto 17 vite. Mendësi që shumë vështirë gjen aplikim këndejpari.

Nocione si sovraniteti, kontrolli efektiv i territorit, të qenit në Kushtetutë e shkruar se “Kosova është shtet i shqiptarëve dhe komuniteteve tjera”; nocioni fundamental i ushtrisë, disi vetëm sa s’na thuhet t’i pjestojmë. Vetëm sa s’na thuhet, ja u’a lejuam shpalljen e pavarësisë së territorit të rrumbullakësuar, madje u’a njohëm atë, por meqë jetojmë në postmodernë, e jetojmë mbi koncepte fluide, tashmë edhe serbëve u dueht lejuar eksperimenti i njejtë në 25% territor. Meqë ata kanë një INTERPRETIM tjetër të situatës. Pa le të del, ku të del!

Madje hipokrizia europiane merr tendenca duplifikimi edhe më shumë kur për tejkalim të problmeve nacionale investohet më së shjmti në Ballkan, në një kohë kur andej i’upolli Brex-iti. Pra dikush që për vete thotë se kombi s’ishte emancipues, pse atëherë para 8-25 vitesh njohu Slloveninë, Kroacinë, Bosnën, Kosovën. Ç’janë këto? Kombe a biskota ?

Epo ja që dikush nga  ballkanasit akoma s’qenka  i kënaqur me punët e lëna gjysmë. Deal with it. Ontologjikisht, jo përmes improvizimit, instrumentalizimit e funksionalizmit. Ose mundësojeni një zgjedhje të problemit shqiptaro-serb mbi baza nacionale, por pa luftë, ose jepini leje ROSU-s a FSK-së ta rrëzojë murin. Zgjidhje të ndërmjetme nuk ka. Pos cinizmit, natyrisht.

 

Shpërndaje në: