Murati shfleton biologjinë: Flet për ushujza dhe përfundon duke sulmuar opozitën
Ministri i Financava, Hekuran Murati sonte ka shkruar në profilin e tij në Facebook, por goxha ndryshe nga postimet që ka bërë zakonisht.
I inspiruar nga biologjia, Murati shkrimin e filloi duke treguar diçka për ushujzat apo parazitët, e përfundoi duke sulmuar opozitën
“Ngjashëm, për 20 vite qeverisje të kastës së vjetër zhvatëse, Kosovës tonë i janë ngjitur me dhjetëra e qindra ushujza që vazhdimisht i kanë thithur gjakun për t’u ushyer për vete”, shkroi ai ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Ushujzat, të quajtura edhe shushunja, janë parazitë që ngjiten në trupa të huaj dhe jetojnë duke u ushqyer me gjakun që e thithin nga trupi nikoqir.
Hapësirën ku ngjitet ushujza, ajo e mpin ashtu që trupi të mos ndjejë dhimbje, dhe njëkohësisht e tajon edhe një lëng i cili e mundëson tëhollimin e gjakut, që të ushqehet më lehtë.
Kur e heq ushujzën nga trupi, ajo len prapa një plagë të hapur, dhe për shkak të tëhollimit të gjakut, mund të ketë edhe rrjedhje të gjakut nga plaga.
Ngjashëm, për 20 vite qeverisje të kastës së vjetër zhvatëse, Kosovës tonë i janë ngjitur me dhjetëra e qindra ushujza që vazhdimisht i kanë thithur gjakun për t’u ushyer për vete.
Dhe ngjashëm, tani kur këto ushujza po hiqen një nga një nga trupi i Kosovës, i dëgjon kastën e vjetër teksa ulërijnë e bërtasin, e akuzojnë se si vendit po i shkaktohet plagë e gjakderdhje.
Por në fakt, plaga dhe gjakderdhja në rastin e ushujzës janë pasoja, dhe njëkohësisht treguesi se trupi më në fund do të shërohet. Prandaj edhe s’do të ndalemi.
Të gjitha ushujzat do të hiqen një nga një. Mund të shkaktojë pak dhimbje në fillim, e mund të duket se po shkakton edhe gjakderdhje të përkohshme madje, mirëpo kjo është e vetmja mënyrë se si të kthjellet trupi.